Deputeti i Lëvizjes Besa Fadil Zendeli, i cili është anëtar i Komisionit juridik-ligjdhënës sot deklaroi se nuk mundet të thotë qëndrim zyrtar për kërkesën e LSDM-së për interpretim autentik sepse ende nuk e ka marrë.
Ai tha se parimisht është kundër abolimit dhe se kjo që po bëhet para zgjedhjeve është përplasje apo kalkulim i partive politike.
“Duke e pasur parasysh momentin kur është hapur nisma dhe debati në Gjykatën Kushtetuese, kur tashmë janë paralajmëruar zgjedhjet e ardhshme, kjo bëhet për përplasje politike apo kalkulime të partive politike. Është e padiskutueshme se personalisht si deputet dhe si parti politike kemi qenë kundër amnistisë, sepse mendojmë se shteti dhe institucionet gjyqësore duhet thelbësisht të luftojnë me krimin dhe korrupsionin në shtet, të mos ketë amnisti, të mos ketë abolim. Kjo veçanërisht nëse bëhet fjalë për politikanë të profilit të lartë”, thotë Zendeli.
Ai refuzon të komentojë për dokumentin që nuk e ka parë pasi siç tha, nuk dëshiron të bëhet pjesë e “lojës së partive politike që e inicuan këtë procedurë”.