Pas pothuajse dy orë punë të Kuvendit dhe pas votimit të rendit të ditës të seancave 32 dhe 30, kryeparlamentari, Talat Xhaferi hapi debatin për propozim vendimin për zgjedhje të avokatit të popullit. Propozim vendimi për avokat të popullit është pika e parë e rendit të ditës të seancës 32. Për avokat të popullit është propozuar Naser Ziberi, nga BDI, por kundër kandidaturës së tij janë shprehur deputetët e Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Zyberi i cili është noter, ka qenë kandidat për kryeministër i BDI-së në fushatën e zgjedhjeve të fundit parlamentare, transmeton Portalb.mk.
Para se të votohet rendi i ditës, Syrija Rashidi nga Aleanca për Shqiptarët propozoi që të hiqet nga rendi i ditës propozim vendimi për avokat të popullit, por nuk fitoi mbështetjen nga deputetët.
“Nëse kihet parasysh se të gjitha procedurat për zgjedhje të avokatit të popullit ishin jo transparence dhe në kundërshtim me funksionin avokat i popullit dhe nëse kihet parasysh se bëhet fjalë për personalitet i cili më se paku duhet të thirret jopolitike, për shkak të faktit se vetëm para gjashtë muajve ishte kandidat për kryeministër të një partie politike dhe për shkak se sot na propozohet nga një parti në pushtet, mendoj se kjo pikë duhet të hiqet nga rendi i ditës”, deklaroi Rashidi.
Me propozim të BDI-së, Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime me 7 vota “për” e konfirmoi propozimin që Naser Ziberi të jetë kandidat për Avokat të Popullit.
Deputetja e BDI-së, Teuta Bilali Zendeli, propozoi që Ziberi të jetë kandidat, ndërkaq për këtë reagoi grupi i deputetëve të Aleancës për Shqiptarët.
Surija Rashidi nga ASH-ja kërkoi që të ndalohet procedura për zgjedhje të Avokatit të Popullit dhe të diskutohet për kandidat, i cili do të propozohej nga partitë e opozitës shqiptare. Nga Alternativa thonë se BDI-ja ia ka premtuar këtë post Ziberit.
Ndryshe, Naser Ziberi, së fundi u rikthye në skenën politike, pasi që kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti e publikoi si kandidat për kryeministër shqiptar në zgjedhjet e fundit parlamentare të 15 korrikut.