Sonte lëshohen perdet në edicionin e 19-të të festivalit “Teatri shqiptar në Maqedoni”, i cili tradicionalisht mbahet në Dibër.
Para publikut të Dibrës sonte jashtë konkurencës do të marrë pjesë teatri “Bulis” nga Fierri, me shfaqjen “Keqardhje e bardhë” në regji të Milto Kutali, pas së cilës do të ndahen çmimet për shfaqjen më të mirë, regjinë, aktorin dhe aktoren.
Festivali ishte hapur në datën 24 të këtij muaji, në të cilën morën pjesë teatrot e shtetit tonë, Shqipërisë dhe Kosovës.
Drejtori i festivalit Ylber Nuredini shprehu kënaqësi nga vizitueshmëria e shfaqjeve, veçanërisht duke e theksuar ndjenjën e kënaqësisë që vazhdohet tradita e mbajtjes së festivalit, sepse për shkak të pandemisë ishte në pikpyetje mbajtja e tij.
Për shkak të pandemisë me Kovid-19 shfaqjet u mbajtën në vend të hapur në oborrin e shkollës fillore komunale “Sait Najdeni”, ndërsa njëra edhe para Qendrës për kulturë, me ruajtjen e protokolleve për mbajtje të ngjarjeve të tilla kulturore.
Festivali sikur edhe edicionet tjera edhe këtë herë ishte mbështetur nga Ministria e Kulturës, nga pushteti lokal, Qendra e kulturës, si dhe disa kompani.