Nëse Gjykata Kushtetuese shfuqizon vendimin për shpërbërjen e Kuvendit, atëherë procedura për organizimin e zgjedhjeve parlamentare duhet të nisë nga fillimi, thotë për Civil Media, ish nënkryetari i KSHZ-së, Subhi Jakupi. Sipas tij, rikthimi i deputetëve në Kuvend, nënkupton anulim edhe të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të 12 prillit. Me këtë Jakupi thotë se kryetari i Kuvendit duhet të sjellë vendim të ri dhe datë të re për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare.
“Po gjithsesi, nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizon Vendimin e Kryetarit të Parlamentit, me automatizëm shfuqizohen të gjitha procedurat zgjedhore që kanë qenë të përgatitura për 12 prill 2020 dhe përsëri do të kemi vendim tjetër për datën e mbajtjes së zgjedhjeve”, thotë Jakupi, transmeton Europort.mk.
Në deklaratën e tij për Civil Media, Jakupi thotë se vendimi i ri për shpalljen e zgjedhjeve nënkupton se KSHZ do të duhet të fillojë procedurë të re, ndërsa partitë do të duhet të paraqiten prej fazës së parë dhe me lista të reja të kandidatëve për deputetë. Përveç kësaj ai shton se do të duhet të bëhet shqyrtimi publik i listës së votuesve dhe të gjitha procedurat e tjera me rradhë nga fillimi.
Vendimin për shfuqizim ose jo të vendimit për shpërbërjen e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese pritet ta mer nesër pasi të vlerësojë iniciativën e dorëzuar nga gjykatësi Osman Kadriu. /Europort.mk/
A. Zeqiri