Në Universitetin e Tetovës, sot, më 2. 4. 2020, kandidatja Mr. Sc. Salihe Salihu, e mbrojti me sukses disertacionin e doktoraturës, me titull: “Sovraniteti dhe legjitimiteti i shtetit në Kosovë”.
Mbrojtja e doktoratës u realizua përmes platformës online Google Meet, duke u bazuar në nenin 3 të Dekretit me fuqi ligjore për zbatimin e Ligjit për arsim të lartë gjatë kohës së gjendjes së jashtëzakonshme (Gazeta zyrtare e Republikës së Maqedonisë së Veriut, nr. 76, të datës 24.3.2020), ndërsa të gjithë të interesuarve iu mundësua ndjekja me paraqitje paraprake në adresën elektronike: [email protected].
Komisioni në përbërje, Prof. Dr. Fehari Ramadani-kryetar, Prof. Dr. Fatmire Lumani-anëtare, Prof. Dr. Arsim Bajrami-anëtar, Prof. Dr. Jusuf Zeneli-anëtar, Prof. Dr. Drita Fazlija-anëtare, si dhe mentori Prof. Dr. Ylber Sela, e vlerësuan lartë disertacionin dhe punën e kandidates gjatë studimeve të doktoraturës, duke potencuar në veçanti angazhimin dhe seriozitetin e saj.
Mr. Sc. Salihe Salihu, e lindur më 4.2.1967, ka kryer studimet në nivelin bachelor në dy programe studimore, në shkencat politike në Universitetin e Lundit, si dhe Migracioni ndërkombëtar dhe relacionet etnike në Universitetin e Malmes. Në vitin 2003 e mbrojti magjistraturën në shkencat politike në Universitetin e Lundit, me temën ”Dezintegrimi i Jugosllavisë” dhe gjithashtu mori gradën magjistër edhe në Universitetin e Malmes, në drejtimin Migracioni ndërkombëtar dhe relacionet etnike.
Ka qenë e angazhuar si ligjëruese nga World Univeristy Service në Universitetin e Prishtinës, Fakulteti i Shkencave Politike, në lëndën Barazia gjinore (2004-2007); në Folkhögskola në Malme të Suedisë për lëndën Shkencat sociale (2007) dhe Të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare” (2012), si dhe në disa kolegje në Republikën e Kosovës.
Drejtuesit e Universitetit të Tetovës, krahas respektimit në përpikëri të rekomandimeve të OBSH-së dhe autoriteteve të vendit kundër përhapjes së Covid-19, kujdesen maksimalisht që veprimtaria e përgjithshme e Universitetit të mos cenohet, sidomos interesi i studentëve në të gjitha ciklet e studimeve. Mbrojtja e sotme e disertacionit të doktoraturës dëshmon se UT edhe përmes formave alternative të TI-së ka kapacitetet e nevojshme në menaxhimin e procesit mësimor-shkencor.