Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami, gjatë vizitës së tij në SHBA, ka dhënë intervistë për Zërin e Amerikës ku ka folur rreth koalicionit parazgjedhor me LSDM-në e Zoran Zaevit. Kasami deklaroi se ky koalicion do të jetë fitues i zgjedhjeve të 12 prillit dhe do ta fitojë shumicën e nevojshme prej 61 deputetëve me çka shtoi se BDI përfundimisht do të shkojë në opozitë. Ai më tej shtoi se ky koalicion është “euroatlantik” dhe do të sjellë dallim mes të kaluarës problematike dhe një ardhmërie më të relaksuar.
“Me këtë koalicion në mes LSDM-së dhe Besës do të krijohet një klimë më e zbutur, por njëher ne vlersojmë që ky koalicion do të jetë një koalicion i cili do të bëj diferencë mes një të kaluare shumë problematike në mes të dy komunitetëve shumicë, shqiptarëve dhe maqedonasve dhe një të ardhme e cila do të jetë shumë më e relaksuar kur do të flitet më shumë për çështjen e interest të përbashkët sesa ata të cilat na ndajnë si dy komunitete”, ka thënë Kasami për VOA.