“Naim Frashëri” mban emrin një shkollë fillore komunale në Tetovë. Edhe kjo shkollë si të gjitha shkollat e tjera në mbarë vendin ndan të njejtat halle, peripeci, mungesa dhe nevoja të cilat edhe sikur të përmbushen në vazhdimësi, kurrë nuk mjaftojnë për ata që duan arsimin dhe zhvillimin e procesit arsimor. Por, ajo që e dallon këtë shkollë nga shumë të tjera si brenda komunës ashtu edhe në mbarë shtetin, është përkushtimi për të shfrytëzuar çdo mundësi edhe më të vogël për përmirësimin e kushteve të 1577 fëmijëve që ndjekin mësimin aty. E kur mundësitë dhe mbështetja nga organet e tjera mungojnë, atëherë udhëheqësia e kësaj shkolle mblidhet për të krijuar mundësitë, ose për të trokitur tek miqtë ndërkombëtar që kjo shkollë i ka të shumtë dhe me të cilët në fund ia arrijnë me sukses që çdo vit shkollor të sjellin jo vetëm freski, por edhe kushte dhe pajisje nësimore me të cilat punojnë shkollat evropiane.
Shkolla Fillore “Naim Frashëri” së fundmi është pajisur me një bibliotekë të pasur dhe moderne, me shumë tituj që ju nevojiten nxënësve dhe me një ambient që tërheq ata gjithnjë e më shumë, njofton Europort.mk. Kjo biblioteka ashtu si edhe shumë kushte të tjera në këtë shkollë është realizuar me mjete nga buxheti vetanak i shkollës. Drejtori i shkollës, Xhelal Alili, thotë se kur ekziston dëshirë e madhe tek të gjithë atëherë mungesat injorohen dhe sukseset arrihen ashtu siç janë planifikuar.
“Ishte një përkushtim i imi dhe i kolegëve që të kemi një bibliotekë ku nxënësit jo vetëm që do të shërbehen me lektyrat e obligueshme, por do të ndjehen këndshëm që ta vizitojnë më shpesh dhe të shtojmë tek ata dëshirën për lexim. Në Bibliotekën tonë arritëm të sigurojmë kushte të cilat me ëndje i kemi parë në shumë institucione më të larta dhe më të pasura se shkolla jonë. Por vendosëm dhe ia arritëm”, deklaroi Alili për Europort.mk.
Shkolla fillore “Naim Frashëri” njihet jo vetëm me bibliotekën, por edhe me shume kushte dhe projekte evropiane. Në këtë shkollë tanimë në shumë klasa, dërrasat e zeza tradicionale janë zëvendësuat me “smart tabela” të cilat mësuesve dhe nxënësve ju mundësojnë zhvillimin e metodave moderne interaktive të procesit edukativo-mësimor. Për t’i arritur të gjitha këto, drejtori Alili thotë se kanë vendosur që në vend se të ankohen të kërkojnë zgjidhje në çdo derë që ju hapet, ndërsa shumë qëllime i arrijnë edhe përmes kursimeve dhe menaxhimit ekonomik të buxhetit të shkollës.
“Që në fillim të çdo viti bëjmë plane dhe projekte bashkë me stafin dhe e dijmë çfarë duam të arrijmë. Unë personalisht nuk preferoj të ankohem edhe pse ka mungesa dhe arsye për ankesa. Por, në rradhë parë si drejtor jam i përkushtuar që buxhetin ta shfryzëzojmë me një racionalitet maksimal duke ndarë shpenzimet në bazë të prioriteteve dhe duke i minimizuar ato. Shumë punë i bëjmë falë këtij menaxhimi me buxhetin, por për projkete të tjera më të mëdha shfrytëzojmë fonde ndërkombëtare nga miqtë e shkollës dhe vendit tonë. Nga USAID, BE dhe organizata të tjera ndërkombëtare, i ndjekim, aplikojmë dhe interesohemi në çdo konkurs. Gjithashtu vite më parë edhe kompania Ekolog na ka ndihmuar me pamjen e jashtme të objektit. Falë mbështetjes së tyre kemi bërë shumë ndryshime, investime dhe instalime të teknologjive moderne në shkollën tonë”, deklaroi drejtori Xhelal Alili.
Shkolla fillore “Naim Frashëri” në Tetovë shquhet edhe për shumë projekte inovative, pjesmarje në gara ndërkombëtare, suksese në fushën e sportit dhe shkencave si dhe aktivitete të lira që kanë pët qëllim rritjen e kreativitetit dhe vullnetit për mësim tek nxënësit.
Arben Zeqiri /Europort.mk/