Swarovski, Gucci, Dior, Versaçe, Balenciaga, Zara. Këto janë vetëm disa nga markat që më së shumti gjenden në garderobën e sekuestruar nga prokuroria e Bokit 13, të akuzuarit të parë për rastin “Zhvatje”. Prokuroria vazhdoi me prezantimin e dëshmive të tyre materiale kundër të akuzuarëve Bokit 13 dhe Katica Janevas. Dëshmitë kishin të bënin me gjërat që janë gjetur, gjatë bastisjes në shtëpitë e dy të akuzuarëve, kur veç tjerash përmendet telefoni i dytë i Janevas, për të cilin ajo kishte deklaruar se nuk e di se ku gjendet dhe i njëjti më pas ishte gjetur në shtëpinë e të dashurës së djalit të saj, Tanja Arxhanlievas.
Ndërkaq, portal Mkd.mk ka bërë numërimin e plotë të garderobës, së sekuestruar të Bokit 13. “60 pallto, 22 xhaketa, 85 këmisha, 75 palë pantallona, 186 palë syze dielli, 134 çanta, 148 bluza, 26 kostume, 152 palë këpucë, 45 palë atlete, 36 palë çizme, 66 palë tuta, 30 palë këpucë, 29 palë xhinse, 33 rripa, 55 xhaketa, 25 palë pandofla”.
Prokurorja Villma Ruskosvka vlerëson se këto dëshmi të prezantuara për kryesisht garderobën e Bokit 13, janë si rezultat i veprës penale “Larje parash”. Mirëpo, shtoi se se nuk kanë bërë vlerësim të shumës financiare të të njëjtave.
VILLMA RUSKOVSKA, PROKURORE
“Këto prova janë për veprën penale ‘larje parash’ dhe për ketë po prezantohen provat sepse ne vlerësojmë se e gjithë kjo që është blerë është si rezultat i veprës penale ‘larje parash’ dhe për këto shkaqe po prezantohen këto prova”.
I dënuari për këtë rast Zoran Milevski Kiçeec, do të vijë përsëri në gjykatë, por këtë herë në cilësinë e dëshmitarit, me kërkesë të mbrojtjes së dy palëve, Janevas dhe Bokit 13.
Gjykatësja në fillim të seancës përmendi se nga lista e personave për të dhënë dëshmi ka mbetur vetëm edhe një, por i njejti nuk është i disponueshëm. Prokurorja Ruskovska sqaroi se ai gjendet në udhëtim zyrtar në Amerikën e Jugut dhe do të kthehet diku në muajin mars, por shtoi se nuk është dëshmitarë i rëndësishëm edhe pse nuk e tregoi emrin e tij.
Ndërkaq, lidhur me akuzat e Bokit 13 që i bëri një ditë më parë ndaj prokurores Ruskovska për korrupsion prej 4 milion eurove, ajo tha se nëse personi në fjalë ka prova, e inkurajon që t’i paraqes në organin kompetent.
VILLMA RUSKOVSKA, PROKURORE
“Mendoni për 4 milion eurot? Unë përsëri do të them se e inkurajoj çdokënd që ka prova për këdo qoftë t’i paraqes në polici. Nuk dyshoj se policia do ta kryej punën profesionalisht”.
Gjatë ditës së nesërme ndër provat e tjera, pritet të shihet edhe videot e publikuara nga gazeta italiane “La Verita”, për këtë rast. Emine Ismaili /SHENJA/