“Të rinjtë dhe të drejtat e njeriut” ishte tema e Panel-diskutimit, e cila u organizua sot me rastin e Ditës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë. Panelistët ishin ekspertë të temës, studentë dhe nxënës të shkollave të mesme.
Kjo ditë shënohet jorastësisht në UEJL, sepse themelimi i këtij universiteti është i ndërlidhur me një nga pikat e Kartës universale për të drejta të njeriut, që është e drejtë e arsimimit në gjuhën amë”, theksoi zëvendës-rektorja për bashkëpunim ndërkombëtar dhe hulumtim, prof.dr. Besa Arifi.
“Të drejtat e njeriut janë të ndërlidhura me kushtet tjera për jetesë në një shoqëri. Pa institucione të fuqishme dhe sundim të drejtësisë, nuk kemi mënyrë të mendojmë se të drejtat e njeriut janë tërësisht të respektuar. Tjetër është nënshkrim i deklaratës, ndërsa tjetër është implementimi në praktikë”, theksoi prof. Vigjilenca Abazi.
Udhëheqësi i sektorit për veprimtari publike në Komunën e Tetovës, Ahmed Qazimi, foli për të drejtat e njeriut dhe arsimin, ndërsa Mefail Abdiu foli për ndikimin e mediave mbi të drejtat e njeriut.
“Për të drejtat e njeriut dhe liritë e besimit debatoi Mafiz Rrustemi, ndërsa në emër të Sektorit për punë të brendshme ishte përfaqësues Fatmir Rexhepi. Studentja Anila Pajaziti kishte fjalim shumë motivues për të rinjtë dhe të drejtat e tyre. Në temë të njëjtë foli Oltion Esati, në emër të Këshillit rinor lokal dhe Evridit Fetahu nga Unioni i nxënësve të shkollave të mesme”, kumtuan nga UEJL.
Panel diskutimi është organizuar nga Fakulteti juridik pranë Universitetit të Evropës Juglindore.