Rrëfimi për një vjedhës, i cili do të duhet të marrë një vendim jetësor pasi që ka vjedhur banesën e një gruaje të moshuar, e cila sëmuret rëndë. Kjo është drama e filmit “DECISION” të produksionit “GALAKTIKA” nga Shkupi që brenda një dite fitoi dy çmime prestigjoze, një evropian dhe një botëror, njofton Europort.mk. Të dielën ky projekt u shpërblye me çmimin Best Crime Short People’s Choice Award në “Austria International Film Festival” dhe në Panairin botëror të filmit “World Film Fair”. Përveç dy çmimeve të fituara ky film ka qenë i ftuar në 18 festivale botërore me karakter garues.
Filmi “Decision” premierën e parë e shfaqi më 14 nëntor 2018 në Kinotekën e Maqedonisë në Shkup. Kjo dramë është xhiruar në Shkup dhe është mbështetur nga Agjencia e Filmit e Republikës së Maqedonisë, njofton Europort.mk
Në filmin e realizuar nga produksioni “Galaktika”, me producent Bunjamin Kurtishin dhe Fidush Kjamili, si dhe regjisor Agim Abdula, në rolet kryesore luajnë: Ajetja Rexhepoviq, Naser Rafuna, Amernis Nokshiqi, Burhan Amiti, Ismet Ramadani, Ajshe Useini. Distributor ndërkombëtar i filmit është Alex Davidson nga Kanadaja.
Në të njejtën ditë produksioni “Galaktika” është informuar edhe për një çmim të fituar për një projekt tjetër të tyre. Filmi “Conversation on Life” po të dielën ka fituar çmimin “Best Short Film Life Award” në “Malta Film Festival”.
Arben Zeqiri /Europort.mk/