Zoran Zaev gjithsesi se do të dëshmoj për “Monstrën” por do të thirren edhe Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Xhelal Bajrami dhe të gjithë të tjerët që në njëfarë mënyrë mund të kenë përzierje në çështjen “Monstra”. Kështu tha prokurorja Fatime Fetai në fillim të seancës gjyqësore për Monstrën.
Dëshminë e Zaevit e kërkoi Goran Naçevski babai i njërit prej viktimave, me qëllim që të dëshmon për rastin dhe, sic tha, t’ i qartësoj disa gjëra. Ai gjithashtu kërkoi nga gjykata të siguron incizimin e Zoran Zaev kur flet për vrasjen e pesëfishtë në Kuvend në pyetje deputetësh, sepse sipas tij, aty ka thënë shumë gjëra të rëndësishme.
“Duam që në seancën e ardhshme të vij të dëshmon kryeministri Zoran Zaev, për t’i qartësuar disa gjëra që i ka përmendur si “sekret shtetëror”, “shërbimi sekret”, ” përgjimin e celularëve dhe të gjitha çështjet tjera me Monstrën. Të vijë më herët, se pastaj do të jenë edhe zgjedhjet dhe mund të mos jetë më kryeministër, kurse në këtë pozitë, fjala e tij peshon më shumë. Të mos ikë edhe ai pastaj dhe të lahet në ndonjë xhakuzi sikurse Gruevski”, u shpreh Goran Naçevski, babai i viktimës, Aleksandër Naçevski.
Prokurorja Fetai në përgjigjen ndaj Naçevskit, tha se do të thirren të dëshmojnë të gjithë ata që mund të kenë çfarëdolloj lidhje me “Monstrën”.
“Pavarësisht se çfarë funksioni do të ketë Zaev, ai duhet ta thotë të vërtetën. Përndryshe, ai do të bart përgjegjësi për dëshmi të rrejshme. Gjithsesi se do të thirret Zoran Zaevi, Ali Ahmeti, Bujar Osmani, Xhelal Bajrami e gjithë të tjerët që kanë të paktën ‘një fije përzierje’ në këtë çështje dhe që dëgjohen në bomba”, tha prokurorja Fatime Fetai.
Monstra është në fazën e dëgjimit të dëshmive materiale si SMS porositë dhe transkriptat. Në njërën nga bombat dëgjohet biseda Ekremit dhe Afrimit se si merren vesh për dëshmitarët.
Ekremi: “Një dëshmitar më duhet”.
Afrimi: Qerimi?
Ekremi: “Qerimi le të bëhet dëshmitar i Agimit”.
Afrimi: “Do ta shohim. Cilitdo le të bëhet, por të ketë dëshmitar”.
Ekremi: “Mund të bëhem edhe unë por më ruajnë për dikë tjetër”.
Ndryshe gjykatësit bartës të lëndës Ognen Stavrev dhe Osman Shabani kanë konkurruar për gjykatës në Gjykatën e Apelit, ndërsa prindërit e viktimave druajnë se se lënda mund të kthehet nga fillimi, por Stavrev tha se një gjë e tillë nuk do të ndodh.
Në vrasjen e pesëfishtë të akuzuar janë Fejzi dhe Haki Aziri, Afrim dhe Agim Ismailoviq, Sami Luta dhe Alil Demiri. Vrasja ka ndodhur më 12 prill 2012 dhe të vrarë kanë mbetur pesë të rinjë dhe peshkatari Borçe Stefanovski. Seanca e radhës për Monstrën do të mbahet më 11 dhjetor. /Rtv21/