Sot, në këtë ditë të madhe të gjuhës shqipe dhe të shkronjave shqipe, pra në Ditën e Alfabetit Shqip, Alternativa gjen rastin t’ua urojë të gjithë shqiptarëve kahdo që janë festën e madhe të Alfabetit të Gjuhës Shqipe, duke uruar që kremtja të kalojë në frymë festive, ndërsa gjuha dhe shkronjat shqipe të mbeten të shenjta dhe të përjetshme.
22 nëntori i 1908-tës ishte uvertura e kombndërtimit tonë, që u kurorëzua me 28 nëntorin e 1912-tës, sepse përcaktimi i alfabetit shqip e mundësoi edhe shkrimin e Deklaratës së Pavarësisë. Një komb që për 111 vjet shkruan me shkronjat e veta latine detyrimisht e ka përcaktuar fatin e tij historik si komb i dijes, i shkrimit dhe i librit. Për këtë jemi pafundësisht mirënjohës ndaj të gjitha personaliteteve të larta të kombit për vizionin dhe devotshmërinë me të cilën e skicuan identitetin tonë kombëtar.
Më 22 nëntor, po ashtu, është edhe ditëlindja e partisë sonë, që lindi nga nevojat autentike dhe autoktone shqiptare, duke vepruar si subjekt autonom dhe duke ndërtuar politika që sollën risi jo vetëm në skenë politike shqiptare, por edhe atë shtetërore. Duke shpresuar se historia i regjistron të gjitha, Alternativa me këtë rast të gjithë aktivistëve, simpatizuesve dhe votuesve të saj ua uron edhe 5-vjetorin e themelimit dhe i inkurajon që ta mbështesin këtë opsion burimor politik, i cili – pavarësisht furtunave dhe goditjeve deri në përmasa represive juridike – vazhdon të mbetet strumbullari i interesave shqiptare në Maqedoni.
Ne mund të jemi të vegjël kundrejt historisë, por historia nuk do të bëhej as pa ne. Po kujtojmë Ligjin për përdorimin e gjuhëve dhe procesin euro-atlantik, që erdhën në shqyrtim në rend dite vetëm pasi që ne u bëmë pjesë e skenës politike parlamentare.