Qytetarët e Tetovës dje dhe sot kanë pasur mungesë të ujit të pijshëm. Kjo mësohet se ka ndodhur për shkak të defekteve në gypin kryesorë të ujësjellësit në Leshnicë. Sot ka reaguar Lëvizja ekologjike “Eco Guerilla”, e cila kërkon nga inspektoriati të hetojë punimet që janë investim i komunës pasi vlerësojnë se rrjeti është i ri.
Lëvizja “Eco Guerilla”:
Pse Tetova dy ditë pa ujë?!
Defektet e shpeshta në rrjetin e posandërtuar në Leshnicë lënë dyshime serioze për cilësinë e ndërtimit, ku shumë qytetarë kanë humbur besimin në seriozitetin e punëve që realizohen apo porositen nga Komuna e Tetovës. Duhet një komision hetimor nga eskpertë të pavarur të bëjë inspektimin si është ndërtuar ky rrjet dhe nëse i përmbush standardet dhe parametrat e duhura për funksionim normal dhe furnizim të rregullt me ujë për pije për qytetin e Tetovës.
Drejtorja e Inspektoratit të ambientit jetësor Ana Petrovska para do kohe pat paralajmëruar që nga ndërtimi i hidrocentralit në Malin Sharr, në lokacionin e Leshnicës mund të ndotet uji për pije dhe të rrezikohen qytetarët e Tetovës të mbesin pa ujë. Ndërtimi është vetëm 300 metra afër kaptazhës. Prandaj kontrollimi i të gjithë dokumentacionit dhe lejeve të ndërtimit të lëshuara nga Komuna e Tetovës për këto hidrocentrale duhet të kalojnë filtrat e eskpertëve. Pasojat e këtyre ndërtimeve nga hidro-mafia vënë në rrezik gjithë qytetin e Tetovës dhe rrethinën për të drejtën elementare për ujë. Durimit të qytetarëve u ka ardhur fundi. Për këtë dikush duhet të mbajë përgjegjësi.