Seanca e përbashkët mes qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës e cila ishte planifikuar të mbahej më 25 janar të këtij viti është anuluar për shkak të shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë, të cilat do të mbahen më 14 shkurt. Këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Muhamet Hoxha i cili thekson se menjëherë pas formimit të qeverisë, “do të vazhdojë koordinimi mes palëve për caktimin e një date të re për mbajtjen e seancës”.
“Mbledhja e përbashkët mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut e cila ishte paraparë të mbahet në fund të këtij muaji, me kërkesë të palës kosovare e njëjta nuk do të realizohet për shkak të situatës politike në Republikën e Kosovës, përkatësisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare atje të caktuara me 14 shkurt. Menjëherë pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe formimit të institucioneve, do të vazhdohet me komunikimet e ndërsjella për definimin e datës së mbajtjes së kësaj mbledhje, në të cilën pritet të nënshkruhen një sërë marrëveshjesh të përbashkëta në sfera të ndryshme që janë interes të qytetarëve të të dyja vendeve”, deklaroi Hoxha. /Portalb.mk/