Funksionarët shtetërorë vitin që lamë pas kanë shfrytëzuar më shumë rrjetet sociale për të komunikuar me qytetarët sesa një vit më herët. Këtë e tregon analiza e Institutit për Udhëheqje të Mirë dhe Perspektiva Evropiane. Gjatë vitit 2020 nga gjithsej 120 deputetët, 119 kanë qenë të pranishëm në mediume sociale. Online kanë qenë edhe shefi i shtetit, kryeministri, Qeveria, kryetarët e komunave dhe kështu me radhë.
Tek presidenti i shtetit, analiza tregon rezultat pozitiv të pandryshueshëm. Edhe në 2020-tën, sikurse më herët, presidenti ka qenë njëkohësisht i pranishëm në web faqen e tij zyrtare, si dhe online në aktivitete në Facebook, Twitter, Instagram.
Rritje në përdorimin e rrjeteve sociale është vërejtur tek Qeveria.
INSTITUTI PËR UDHËHEQJE TË MIRË DHE PERSPEKTIVA EVROPIANE
“Çdo anëtar i kabinetit qeveritar ose 20 ministrat, që të gjithë janë aktiv në ‘Facebook’ në vitin 2020. ‘Twitter’ –i ishte zgjedhje për 15 ministra, derisa Instagrami për 14. Gjysma e numrit të përgjithshëm të antarëve të kabinetit, gjegjësisht 10 ministra, kanë qenë njëkohësisht aktiv në të gjitha platformat”.
Analiza tregon për një rritje të madhe digjitale tek përbërja e tanishme parlamentare, krahasuar me atë të kaluarën.
INSTITUTI PËR UDHËHEQJE TË MIRË DHE PERSPEKTIVA EVROPIANE
“Gjatë vitit 2020, 119 nga gjithsej 120 deputetët kanë qenë online, krahasuar me vitin 2019 ku numri ka qenë diku 2/3 ose 87 të zgjedhur të popullit. Në ‘Instagram’ aktivitete të tyre në 2020-tën, kanë pasur 35 deputetë, në ‘Twitter’ për komunikimin e tyre me qytetarët, kanë pasur 26 të zgjedhur të popullit”.
Më tej, 77 nga gjithsej 81 kryetarët e komunave, kanë qenë aktiv në “Facebook” në vitin 2020, numër që është për 3 kryetarë më shumë se sa në vitin 2019. Në “Twitter” në vitin 2020 kanë qenë aktiv vetëm 7 kryetarë komunash, derisa në “Instagram” ky numër ka qenë 32. Krahasuar me vitin 2019, 5 kryetar komunash kanë qenë në “Twitter” dhe 25 në “Instagram”./Shenja/