Përmes zbatimit të konceptit të SMART-financave – në periudhë afatmesme , mund të arrijmë rritje ekonomike dyfish më të lartë krahasuar me dekadën e fundit, që do të thote – standard më i mirë për qytetarët, vende të reja pune, paga më të larta, shëndetësi më të mirë, arsim dhe mjedis jetësor, dixhitalizim të shërbimeve dhe shërbime më të mira publike në përgjithësi. Koncepti i SMART – financave tashmë është duke u implementuar me Propozim buxhetin për vitin 2021, ku për herë të parë ka planifikim afatmesëm, por edhe po vendosen mekanizma për monitorimin e realizimit. Në lidhje me këto tema ministri i Financave Fatmir Besimi diskutoi në ligjëratat që i mbajti në kuadër të “Ditët e edukimit financiar” në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” dhe në Universitetin e Evropës Juglindore.
Besimi theksoi se korniza afatmesme e buxhetit të ri bazohet në themelet ose ABC të tre platformave përmes të cilave duhet të sigurohet rimëkëmbja e ekonomisë dhe që do të veprojnë në vijim si katalizator për rritjen. Këto janë A. Strategjia për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar ose Strategjia për rritje më të zgjuar (SmartER Growth), B. Politikat për konsolidim fiskal dhe C. Plani për investime publike 2021-2025.
Strategjia për rimëkëmbje dhe rritje të përshpejtuar të ekonomisë bazohet në katër shtylla – rimëkëmbjen ekonomike shkaktuar nga Covid-19, rritjen e përshpejtuar gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, përforcimin e konkurrencës së sektorit privat dhe zhvillimin e burimeve njerëzore dhe mundësi të barabarta, theksoi ministri i Financave.