shkruan: LISA BAUTA SHAQIRI
Patriotizmi në shtetin tonë, nuk matet sipas asaj se si ne e përfaqësojmë popullin tonë në drejtim të artit, shkencës apo sportit. Nuk matet as me atë se si dhe sa kujdesemi për shoqërinë apo shtetin tonë. Dashuria ndaj popullit dhe vendit ku jetojmë nuk shprehet më me kujdesin ndaj njeri tjetrit, as me kujdesin ndaj mjedisit që na rrethon. Mund të hedhim mbeturina nëpër rrugë, madje edhe nga ballkoni i ndërtesës ku jetojmë, mund të shkatërrojmë pyjet dhe pronën publike, mund të mos e kthejmë kokën as të shohim nevojtarët, e le më të ndihmojmë.
U tjetërsuam edhe ne, edhe vlerat që si popull i kultivonim.
Patriotizmi mori dimension tjetër dhe filloi të matet sipas sasisë se urrejtjes qe ndjejmë ndaj të ndryshmëve nga ne. Do gjejmë sa s{bën fjale fyese për të gjithë, do merremi me “shiptari” dhe “kauri”, “cincari” dhe “cigani” dhe do mbetemi në luftë se kush është më i keq se tjetri.
Në këtë mënyrë, patriotizmi zhduket dhe i le vend të keqes që quhet nacionalizëm.
Nacionalizmi është metodë e vjetruar për kontrollim të masës popullore përgjatë historisë. Për fat të keq, në vendin tonë, nëpërmjet mbjelljes sistematike të urrejtjes ndëretnike, vazhdon te mbetet mekanizëm me të cilin sigurohen vota në kohë të zgjedhjeve. Me dekada të tëra, ajo që përcakton cilat dy parti do formojnë qeverinë, ishin premtimet të cilat do të jepnin rezultat më të mira në “mposhtjen” e kombësisë tjetër, dhe jo ato qe do jepnin rezultate më të mira në avancimin kulturor, intelektual, ekonomik të popullit dhe shtetit tonë.
Kur një ditë do e kuptojmë se nacionalizmi nuk na ushqen, nuk na shkollon fëmijët, as na paguan llogaritë; se bota vazhdon të eci përpara, ne nuk do dimë as si e as nga t’ia mbajmë. Sipas modelit të njëtrajtshëm të sjelljes, lejuam me inercion të vazhdojmë asaj rruge, që tani, të vijmë në situatë ku në shekullin 21 diskutojmë për nacionalizëm dhe urrejtje ndëretnike.
Sikur gjithë këtë energji ta kishim orientuar fillimisht në ngritje dhe ndërtim të popullit dhe shtetit tonë, e pastaj në bashkëpunim dhe besim të ndërsjellë me bashkëqytetarët tanë, sot, të bashkuar në dallime, do diskutonim për çështje me rëndësi globale, për të çuar botën dhe njerëzimin përpara!
Tani është koha, dhe sigurisht jemi vonë, që të ndërtojmë besim reciprok me të gjitha etnitë që jetojnë në vend.
Të bashkuar në dallime, të lirohemi nga prangat e së kaluarës dhe të punojmë në ndërtimin e një shoqërie të bashkuar, progresive dhe shteti stabil.
Të gjithë ne kemi nevojë te plakemi pranë fëmijëve tanë. Fatkeqësisht, dëshira jonë mbetet të dërgojmë fëmijët larg vendit, ku do kenë jetë më të mirë edhe ata edhe pasardhësit e tyre.
Duhet të dalim nga roli i viktimës. Duhet të marrim përgjegjësinë mbi vete dhe të fillojmë nga vetja dhe familja e ngushte.
Besoj në lirinë e bindjes si vlerë dhe e drejtë themelore e çdo njeriu në botë. Kuptoj madje edhe nacionalistët, ksenofobët etj. Mirëpo, nëse ne si popull dhe si shtet kemi aspirata për anëtarësim në BE, duhet të jetojmë frymën Evropiane. Në Evropë, qytetarët janë të bashkuar në dallimet e tyre. Atje nuk do të thotë se askush nuk e do kombin e vet. Përkundrazi, ata përfaqësojnë kulturën e vet dhe pasurojnë kulturën evropiane. Krijojnë një shoqëri të larmishme, që po ta përkthejmë në gjuhë arti, do të ishte një pikturë me shumë ngjyra, apo një vepër e Mozartit e interpretuar në piano edhe me taste të bardhë dhe zezë!
Nacionalizmi dhe gjuha e urrejtjes do të na mbajë peng i të së kaluarës, do na mbushë me energji negative dhe do na paaftësojë fillimisht si individë, e pastaj si shoqëri dhe si shtet. Në cdo rast, dëmet dhe pasojat do ti pësojmë vetë.
U bëj thirrje prindërve, të mos ua mbartin fëmijëve dhe nipërve të tyre barrën e urrejtes ndaj të ndryshmive. Mos lejojnë e kaluara të përcaktojë të ardhmen e fëmijëve dhe nipërve të tyre. Mos e bëni të ardhmen e fëmijëve peng të së kaluarës suaj! Fëmijët i përkasin të ardhmes, jepuni krahë të vazhdojnë përpara, sepse cdo kthim pas është dështim për ta, po edhe për ju si prindër.