Dy vendime ministrore që kanë të bëjnë me kufizimin e përkohshëm të lidhjeve tokësore, detare dhe ajrore të vendit dhe të ndalesës për hyrje të shtetasve nga vende të treta, Greqia i vazhdoi deri më 12 tetor, lajmëroi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Lidhur me kufijtë tokësorë, kufizimet, “për shkaqe preventive për mbrojtje të shëndetit publik nga përhapja e mëtutjeshme e koronavirusit Kovid-19 në territorin grek” janë për periudhën kohore prej 1 deri më 12 shtator 2020, ndërsa për turistët dhe shtetasit e huaj për të cilët nuk ekziston ndalesë, është e lejuar hyrja vetëm përmes Bullgarisë, përkatësisht përmes vendkalimit kufitar Promahonas dhe vetëm me test molekular negativ për Kovid-19 të bërë deri 72 orë para arritjes.
Nga vendkalimet e tjera kufitare që janë të hapura, përkatësisht Kakavijë dhe Kristalopigi drejt Shqipërisë, Evzoni (Bogorodicë) drejt Maqedonisë së Veriut, Nimfea drejt Bullgarisë dhe Kipi drejt Turqisë, hyrja në Greqi është e lejuar vetëm për kategori të caktuara dhe gjithashtu me test negativ PCR.
Këto vendkalime kufitare janë të hapura prej orës 7:00 të mëngjesit deri në orën 23:00, ndërsa ndalesa nuk vlen: për shtetas grekë, për persona të cilët kanë leje qëndrimi dhe jetojnë në Greqi, për hyrje të personave për shkaqe absolutisht të domosdoshme profesionale apo mjekësore për të cilat kanë edhe dokumentacionin e nevojshëm, si dhe për tranzit të automjeteve spitalore të cilat nga Kosova përmes Maqedonisë së Veriut hyjnë në Greqi për hospitalizim të pacientëve të cilët i takojnë personelit diplomatik, ushtarak apo administrativ të vendeve anëtare të BE-së dhe EULEX-it në Kosovë.
Vendimi i dytë ministror ka të bëjë me ndalesën për hyrje në Greqi të shtetasve të vendeve të treta, me përjashtim të banorëve të përhershëm të Australisë, Gjeorgjisë, Kanadasë, Japonisë, Zelandës së Re, Ruandës, Koresë së Jugut, Tajlandës, Tunizisë, Uruguajit dhe Emirateve të Bashkuara Arabe është në fuqi prej sot, ndërsa vlen deri më 12 tetor të këtij viti.