Qeverisja e së drejtës do të jetë kyçe në negociatat inkuadruese për anëtarësim në BE. Kjo është pika fillestare, por edhe hapi i fundit në negociatat, deklaroi ambasadori i ri i Bashkimit Evropian, Dejvid Gir gjatë dorëzimit të letrave kredenciale presidentit të Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.
“Marsin e kaluar, Këshilli i Bashkimit Evropian e solli vendimin historik për hapjen e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut. Kjo ndodhi pas arritjeve të rëndësishme reformuese, vendimeve të rënda të cilat e konfirmuan drejtimin e zgjedhur të këtij vendi. Tani të gjithë mund ta presim fillimin zyrtar të negociatave në Konferencën ndërqeveritare”, tha Gir.
Nënvizoi se negociatat inkuadruese do të jenë sa lodhje aq edhe kënaqësi.
“Procesi gjithashtu do të thotë mbështetje e demokracisë dhe dialogut, mbrojtje e të drejtave të njeriut dhe mjedisit jetësor dhe krijim i ekonomisë së qëndrueshme në shërbim të qytetarëve. Reformat e BE-së dhe përmirësimi i jetës dhe perspektivave të njerëzve nuk janë prioritete me konkurrencë por angazhime të cilat përforcohen midis tyre. Ato përfshijnë procesin e reformës pozitive në interes të lirive, progresit dhe sigurisë së qytetarëve të rëndomtë të vendit”, porositi ambasadori i BE-së.
Shprehu pritshmëri se ngushtë do të bashkëpunojë me presidentin, me Qeverinë, me Parlamentin, me opozitën dhe siç tha, me të gjithë aktorët dhe sektorët e shoqërisë në mbarë vendin, të cilat duhet të jenë në qendër të kësaj ndërhyrje që të mundet Maqedonia e Veriut ta marrë pozitën e saj si anëtare e Bashkimit Evropian.
Presidenti Pendarovski theksoi se ambasadori i ri i BE-së vjen në një moment mjaft të rëndësishëm për vendin, pasi, siç theksoi, pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Prespës me Greqinë dhe Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë, e kthyem një faqe të re në zhvillimin dhe vendosëm ta plotësojmë kohën e humbur në plotësimin e qëllimeve kryesore.
“Tani, në periudhën para nesh, në radhë është vendimi për fillimin e negociatave që të materializohet sa më parë miratimi i Kornizës negociuese nga Këshilli i BE-së dhe të caktohet Konferenca e parë ndërqeveritare midis Bashkimit Evropian dhe Maqedonisë së Veriut e cila do ta shënojë fillimin konkret të negociatave”, tha Pendarovski.
Shprehu bindjen se me fillimin e negociatave dhe metodologjinë e rishikuar jo vetëm që do të kontribuojnë për stabilizimin e mëtejmë të gjendjeve në Ballkanin Perëndimor, por ne, si shtet, do të na mundësojë sa më shpejtë dhe në mënyrë më efikase t’i implementojmë reformat e domosdoshme, veçanërisht në sferën e luftës me krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë.
“Ndërtimi i shtetit funksional ligjor, në pikësynim të së cilit është sistemi gjyqësor i pavarur dhe efikas është një prej prioriteteve tona strategjike dhe të gjitha institucionet me përkushtim punojnë drejt realizimit të këtij qëllimi. Të jeni të sigurt se për realizimin e këtij qëllimi strategjik të gjitha institucionet e kanë mbështetjen time të plotë”, nënvizoi Pendarovski.
Presidenti Pendarovski shprehu falënderim për ndihmën e Bashkimit Evropian gjatë krizës me Kovid-19. “Jemi falënderues për solidaritetin e shprehur dhe ndihmën në formë të mbështetjes urgjente për sektorin shëndetësor, paketën financiare për përballjen me pasojat socio-ekonomike si dhe ndihmën makrofinanciare e cila do të jetë plotësim i tyre i rëndësishëm”, tha Pendarovski.
Mandati i ambasadorit Gir si shef i Delegacionit të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut është katër vjet. Ai vjen në vendin e Samuel Zhbogar i cili funksionin e ambasadorit e kreu nga shtatori 2016 deri më tani.