Edhe ekspertët juridik e vlerësojnë 12 prillin si datë të rrezikshme për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Naser Ziberi, njëri ndër përpiluesit e Marrëveshjes së Ohrit vlerëson se shpërbërja e Kuvendit dhe ndryshimi i vendimit më pas mund ta komplikojë edhe më shumë situatën, njofton Europort.mk. Ai thotë se skenaret për të rimbledhur Kuvendit nuk lejohen as për të ratifikuar protokollin për NATO e as për të ndryshuar datën e zgjedhjeve. Sipas Ziberit pasi të shpërbëhet Kuvendi, deputetët mund të mblidhen vetëm në rast të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme. Protokolli për anëtarësim të vendit në NATO num hyn në asnjërën kategori.
“Zgjedhjet mund të shtyhen në çdo moment, përderisa Kuvendi nuk është shpërbërë, për arsye se vendimin për shpërbërje të parlamentit e marrin deputetët me shumicë absolute të votave, që don të thotë 61 deputetë nga 120 sa ka parlamenti.. Derisa parlamenti nuk është shpërbërë, data e 12 prillit mund të shtyhet në çdo moment”, deklaroi eksperti juridik Naser Ziberi.
Vendimin për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohëshme, sipas Ziberit, liderët e kanë marrë nën emocione dhe presion të refuzimit të Këshillit të Evropës, për caktimin e datës për fillim të negociatave. Përveç ratifikimit të protokollit për anëtarësim në NATO, zgjedhjet e 12 prillit sipas Naser Ziberit, rrezikojnë edhe humbjen e datës për bisedime me BE-në. Ai kujton se reforma në BE mund të përfshijë edhe kushte të reja për vendet kandidate. Në këtë rast vendit mund ti kërkohen ndryshime ligjore përderisa Kuvendi do të je i shpërbërë.
“Shtrohet pyetja, çka nëse Franca del dhe parasheh kushte të reja për vendet kandidate për fillim të negociatave, parlamentin e kemi të shpërbërë, zgjedhjet ende nuk kanë përfunduar, konstituimi i përbërjes së re nuk është kryer, dhe në këtë mënyrë Maqedonia mund të mos fiton datë as në samitin e ardhshëm të majit, të Zagrebit, dhe në këtë mënyrë të prolongohet fillimi i negociatave deri në pafundësi. Mendoj se liderët e partive politike dhe presidenti është dashur t’i kenë parasysh të gjitha rrethanat, para se të marrin vendim për caktimin e datës së mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme”, vlerëson Ziberi.
Data e mbajtjes së zgjedhjeve është vënë në pikëpyetje nga vetë kryeministri Zaev i cili tha se nëse Spanja vonohet në konstituimin e Kuvendit dhe ratifikimin e protokolit për anëtarësim në NATO, vendi ynë mund të mbetet pa Kuvend dhe nuk do të ketë kush të bëjë ratifikimin përfundimtar. Zaev tha se në atë rast do të duhet të rimblidhet Kuvendi dhe të shtyhet data e zgjedhjeve. Kreu i VMRO-DPMNE-së, por edhe presidenti Stevo Pendarovski thanë se nuk ka nevojë të shtyhen zgjedhjet pasi Kuvendi mund të mblidhet edhe pas shpërbërjes vetëm për të ratifikuar protokolin, mendime këto të cilat u rrëzuan kategorikisht si të pamundura nga kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi. Ai tha se një Kuvend i shpërbërë nuk mund të rimblidhet as për ratifikimin e protokollit dhe as për shtyerjen e datës. /Europort.mk/