Përballë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është vendosur një billbord me mbishkrimin “3 opsione – Kush do të jetë Kryeministri i ardhshëm?”.
Por në billbordin e vendosur duket vetëm një figurë, pa fytyrë dhe pa emër.
Në të njëjtën duken fytyra e dy kandidatëve të tjerë për mandatar, kreut të LSDM-së Zoran Zaev dhe atij të VMRO-DPMNE-së Hritijan Micskoski, ndërsa në mes qëndron hapësirë e zbrazët në formë portreti.
Para këtij billbordi konferencë për media sot mbajti Izmet Mexhiti, nënkryetar i Bashkimit Demokratik për Integrim, i cili tha se në të kaluarën gjithnjë është marrë si fakt i kryer se Kryeministri duhet të jetë kandidat i ose i LSDM-së ose i VMRO-DPMEN-së, por kësaj here, për herë të parë në histori, është ndryshe.
“Këtë herë, qytetarët kanë garë treshe dhe tre mundësi: Dy kandidatët maqedonas nga partitë maqedonase të cilët janë sprovuar në të kaluarën, ose – për herë të parë në histori të votojnë një kandidat shqiptar për Kryeministrin e parë shqiptar të këtij vendi, një Kryeministër që nuk përfaqëson vetëm një parti maqedonase, por një Kryeministër, i cili do të përfaqësojnë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, pavarësisht se cilës etni përkasin” tha Mexhiti.