Çdo qytetar i Maqedonisë së Veriut i cili është i punësuar dhe ka të ardhura nën 15.000 denarë, do të jetë i kualifikuar me automatizëm që të fitojë kupon të cilin mund ta shfrytëzojë për pushime verore. Paralelisht me kuponin prej 6000 denarë secili qytetarë nga kjo kategori do të përfitojë edhe kartelë elektronike prej 3000 denarë për shërbime ose produkte vendore në destinacionet turistike në Maqedoninë e Veriut. Kjo është vendosur në urdhëresën më të re të Qeverisë që buron nga pakoja e tretë ekonomike, ku parashihet që për shfrytëzimin e kuponave dhe kartelave turistike, qytetarët të mos kenë nevojë të aplikojnë si në rastet e kaluara, por të gjithë ata që do të plotësojnë kushtet do të fitojnë kuptonin në formë elektronike dhe për të do të njoftohen nga Ministria e Ekonomisë.
Kreshnik Bekteshi, ministër i ekonomisë
“Çdo qytetar do të fitojë kuponin përmes sistemit elektronik, bazuar në të dhënat e DAP. Ministria e Ekonomisë nëpërmjet email adresave dhe kontakteve të cilat do ti mar nga DAP do tua dërgojë kupçonat me QR kode të cilat do të jenë të specifikuara për çdo qytetarë në veçanti. Në pamundësi për ta shkarkuar kuponin nga emailat, ju bëj thirrje qytetarëve që të drejtohen në Ministrinë e ekonomisë ku komisioni i cili për momentin është duke i shqyrtuar të gjitha kërkesat e qytetarëve në sektorin e turizmit, do ti kontrollojë të dhënat dhe nëse është bërë ndonjë lëshim do ti shtyjë në listë të gjithë qytetarët të cilët i plotësojnë kushtet”
Ndërkohë ministri i ekonomisë njoftoi se do të fillojnë edhe fushatën për promovimin e qendrave turistike me qëllim që të rrisin numrin e qytetarëve që do të shfrytëzojnë kuponat. Për të lehtësuar procedurën e prenotimeve, do të vendoset në funksion edhe platforma “Pushime në vend” ku çdo qytetarë do të kenë mundësi të marrë ofertat e hoteleve dhe atyre që ofrojnë akomodime private dhe të bëjë rezervimet online përmes kontaktit të drejtpërdrejtë.
Ministri Kreshnik Bekteshi sot ka njoftuar se ka dërguar shkresë edhe në komisionin për sëmundje infektive ku kërkohet ndryshimi i protokollit për kafeteritë dhe restorantet, në veçanti pjesa që ka të bëjë me legjitimimin e qytetarëve.