Zgjerimi i Bashkimit Evropian do të jetë në agjendën e mbledhjes së ministrave të Jashtëm dhe të Evropës të vendeve anëtare, që do të mbahet më 19 nëntor në Bruksel. Ndërkohë, zgjerimi dhe bllokada e negociatave për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë kanë qenë temë e diskutimit në takimin e mbrëmshëm të ambasadorëve në Bruksel.
Ministrat e disa vendeve anëtare që mbështesin fillimin e negociatave si, Italia, Polonia, Austria dhe Çekia, kanë insistuar që debati për zgjerim të vazhdoj në këtë mbledhje, me qëllim që të gjendet rrugë për dalje nga bllokada e tanishme dhe të tregohet se BE nuk i ka kthyer shpinën vendeve të rajonit, pas mosdhënies së datës në samitin e tetorit. Ministrat do të diskutojnë për situatën në të cilën gjendet çështja në këtë moment, ndërsa pritet që Franca të parashtroj kërkesa më të detajuara për propozimet për reforma të metodologjisë së procesit të zgjerimit, megjithatë nuk pritet që në këtë mbledhje të ketë ndonjë konkludim. Franca kërkon të reformohet procesi i negociatave dhe metodologjisë së saj, por deri më tani Parisi nuk ka parashtruar propozime konkrete për këtë reformë.
Televizioni publik serb, duke u thirrur në burime diplomatike nga Brukseli, ka raportuar se, mes vendeve anëtare ekziston marrëveshje se bisedimet duhet të vazhdojnë, por Franca ka kërkuar që ata të përgatiten mirë që të shmanget përsëritja e qëndrimeve të njohura dhe krijimi i pritjeve joreale, pasi mbledhja e 19 nëntorit nuk do të jetë fillim i negociatave, por për përgatitjen e debatit dhe vendime eventuale në pranverën e vitit të ardhshëm.
Sipas këtij mediumi, informatat e deritanishme jozyrtare që vijnë nga Parisi, thonë se propozimi francez do të thotë se vendet kandidate do të mund të shfrytëzojnë më shpejt përfitimet e BE-së në disa fusha ku përparojnë, pa pritur anëtarësimin e plotë. Njëra nga opcionet që do ta shqyrtojnë vendet anëtare të BE-së, është që të kërkojnë nga Komisioni Evropian raport për atë se si të përmirësohet metodologjia e procesit të zgjerimit, që Komisioni do ta sjell të fillim të vitit të ardhshëm. Po ashtu, vendet anëtare duhet të vendosin nëse do të kërkojnë raport të ri për gjendjen e reformave në dy vendet, si parakusht për debatin e hapjes së negociatave që pritet të mbahet në Samitin e BE-së në mars.