Vaksina për koronavirusin nuk mund të pritet të prodhohet deri në fund të këtij viti. Procesi i çdo vaksine është i gjatë dhe me përshpejtim maksimal, së paku nevojiten 12 deri 18 muaj, ndërkaq i paraprijnë edhe disa faza të hulumtimeve paraklinike, tha dr. Vlladimir Mikiq.
“Sipas asaj që e dimë deri më tani, në afat sa më të shpejtë, mes një apo një vit e gjysmë do të ishte periudha kur mund të prodhohet”, tha epidemiologu, duke u përgjigjur në video sesionin e sotëm për KOVID-19 se kur mund të pritet vaksina për virusin e ri.
Dr. Zharko Karaxhoski shtoi se sipas disa udhëzimeve, ndoshta në shtator do të mund të ketë hulumtime paraklinike dhe dakordohet se deri në fund të vitit 2020 vaksinë akoma nuk do të ketë.
“Në fund të vitit 2020 nuk do të kemi vaksinë, megjithatë në të ardhmen, ndaj kësaj do të shikojmë se kemi luftuar me një gjë të panjohur e cila do të jetë sezonale”, tha Karaxhoski.
Ai shtoi se tërë situatën e ndjekin edhe përmes informatave, të cilat ende janë në nivel të spekulimit, mes të cilave edhe se virusi në periudhën në vijim do të fillojë të përhapet në hemisferën jugore dhe se vitin e ardhshëm mund të na kthehet si sëmundje sezonale.