Në Gjykatën Penale të Shkupit sot u shqiptua aktgjykimi për rastin “Titanik 3”për Ejup Alimin dhe Ismet Gurin, funksionarë të BDI.
Guri dhe Alimi u shpallën fajtor dhe u dënuan me nga 3 vjet e gjashtë muaj burg.
Sipas akuzës së ngritur nga ish Prokuroria Speciale Publike, të akuzuarit ngarkohen për parregullsi zgjedhore në Çair në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2013.
Procedura gjyqësore për “Titanik 3” deri më tani dy herë ishte kthyer nga fillimi. Pasi gjykatësja Olja Ristova në mars të vitit të kaluar u përjashtua nga ky rast, për kryetare të Këshillit Gjyqësor ishte zgjedhur gjykatësja Marija Kletniçka. Përfaqësues të akuzës janë prokurorët Fatime Fetai dhe Gavril Bubevski.
Siç ka thënë Fetai në fillim të gjykimit, të akuzuarit Ejup Alimi dhe Ismet Guri nga BDI, të udhëhequr nga etja partiake dhe personale për pushtet politik, me dhunë duke mos zgjedhur mjete kanë ndikuar mbi rezultatet zgjedhore në vitin 2013 në Komunën Çair.
Prokurorja atëherë ka thënë që të akuzuarit, të pakënaqur nga rezultatet zgjedhore të partisë së tyre, me tendencë kriminele e kanë falsifikuar vullnetin zgjedhor të qytetarëve të komunës Çair.
“Të akuzuarit nuk kanë zgjedhur mjete gjatë formimit të grupit që është dashur të gjenerojë rezultat më të madh zgjedhor. Si në proverbin “karota dhe shkopi”, të akuzuarit u kanë thënë “nëse nuk e bën këtë nuk do të kalosh mirë” dhe “kemi marrëveshje me BMRO, asgjë nuk do t’u ndodh”. Me atë kanë krijuar frikë tek anëtarët e grupit”, ka thënë prokurorja Fetai.