Përdorimi dhe shitja ilegale e marihuanës dhe përleshja nëpër lokale, objekte hotelerike dhe klube të natës janë fenomen në rritje në mesin e të rinjëve të rajonit të Pollogut.
Thuajse çdo dit, buletini i Sektorit për Punë të Brendshme në Tetovë është i mbushur me informacione të këtilla, ndërsa jo rrallë herë epilogu është edhe i përgjakshëm. Edhe gjatë kësaj fundjave, policia njoftoi për incidente të ngjashme si në rajonin e Tetovës ashtu edhe në atë të Gostivarit.
“Pjestarët e policisë nga SPB Tetovë-Stacioni policorë Gostivar, mbrëmë (04-nëntor) rreth orës 01.00, në rrugën ,,Zhivko Brajkovski,, në Gostivar, kanë privuar nga liria personat S.N. (21) dhe H.B. (18) nga Gostivari, për arsye se gjatë kontrollit të kryer tek ata është gjetur marijuanë. Dy personat në fjalë janë mbajtur në Stacionin policorë Gostivar dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tyre do të përgaditet edhe parashtresë adekuate”, njoftoi Fatmir Rexhepi, zëdhënës i SPB Tetovë.
Në rajonin e Tetovës po të njëjtën natë policia njofton për sulme fizike në një nga diskotekat e këtij qyteti.
“Dje (3-nëntor) rreth orës 12 e 30 minuta, personi G.M. (30) nga Tetova, në Stacionin policorë Tetovë, ka denoncuar se rreth orës 03 e 30 minuta, duke dalur nga një diskotekë në Tetovë, ka qenë i sulmuar fizikisht nga personat F.J. (20) dhe N.R. (29) të dy nga fshati Tearcë e Tetovës, si dhe disa persona tjerë të panjohur. Meren masat për zbardhjen e plotë të rastit dhe kundër personave të involvuar në këtë sulm do të pasojnë parashtresa adekuate”, njoftoi Rexhepi.
Nga Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë njoftojnë se tani e një kohë të gjatë kanë shtuar dukshëm kontrollet si në objektet hotelerike, lokalet ashtu edhe në rrugët e qytetit duke u vënë në ndjekje të shitësve ilegal të narkotikëve ashtu edhe në parandalimin e incidenteve në vende publike.
Arben Zeqiri