Hekur Duka, Kryetari i Dibrës dhe Shtabit Operativ komunal sot raportoi mbi gjendjen e pacientëve në Dibër dhe Qendrën Zhupa si dhe në lidhje me përforcimet, si mjete logjistike dhe mjek në Spitalin e Dibrës, transmeton Portalb.mk.
“Nga numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në nivel shtetëror nga Dibra dhe Qendra e Zhupës janë 30 persona. Në izolim shtëpiak janë 107 persona, që nuk do të thotë se janë të infektuar, por në mesin e atyre që kanë pasur kontakte me njerëz tek të cilët është konfirmuar se kanë virusin, gjë që tregon qartë se situata po përkeqësohet”, vlerësoi Duka, duke sqaruar se dje ishin regjistruar vetëm tre raste të reja.
Duka vlerësoi se për momentin stafi mjekësor dhe pajisjet mbrojtëse janë të mjaftueshme, ndërsa paralajmëroi edhe ardhjen e dy ekipeve të specializuara për dezinfektim.
“Stafi mjekësor është përforcuar me nga dy pediatër dhe një infektolog, si dhe dy specialistë të pulmologjisë. Kanë mbërritur edhe masat mbrojtëse, deri më tani kjo është zgjidhur dhe është e mjaftueshme”, vlerësoi Duka.
Ai raportoi se është bërë dezinfektimi i ndërtesave të banimit, ndërtesave fetare, si dhe 95% e hapësirave të vendbanimeve.