Në Universitetin e Tetovës, me një manifestim solemn të organizuar nga Fakulteti Pedagogjik u shënua 7 Marsi – Dita e arsimit dhe shkollës shqipe, e njohur si Dita e Mësuesit, si dhe 8 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Gruas. Dekani i Fakultetit Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani i falënderoi të pranishmit për pjesëmarrjen duke iu uruar festat e lartpërmendura.
“Arsimi ndodhet para shumë sfidave dhe këtë e konstatojmë me një bindje të jashtëzakonshme, që duhet edhe më tutje të përcjellim risitë në kuadër të arsimit, që cilësia e arsimit të ngrihet edhe më tutje. Nevojiten edhe më tutje reforma, nevojiten teknologji të reja, që shkolla të merr fizionominë e një organizimi akoma më të fuqishëm, për shkak se arsimi është mbi të gjitha dhe para së gjithash. Arsimi është ai, i cili e lëviz shoqërinë përpara dhe me këtë rast, ne duke e analizuar të kaluarën historike në të njëjtën kohë konstatojmë edhe të tanishmen. Por, duke analizuar të kaluarën dhe të tanishmen, ne mundohemi që të projektojmë të ardhmen e arsimit. Me përpjekjen e të gjithëve që marrin pjesë në kuadër të realizimit të procesit arsimor, ne do të ecim përpara drejt arritjes së qëllimeve madhore”, deklaroi mes tjerash Prof. Dr. Fadbi Osmani.
Ndërkaq, profesoresha Rabije Murati deklaroi se, ne duhet të punojmë në atë drejtim që të kemi kuadër sa më profesional të arsimtarëve, sepse vetëm ashtu mund të kemi shoqëri të arsimuar. “Të gjithë ne jemi dëshmitarë të rolit të mësuesit në arsimimin dhe edukimin e të rinjve, ashtu që, ne gjithmonë duhet të kemi kujdes çfarë mësues do të kemi në të ardhmen dhe nëse ata mësues do të kenë vlera profesionale që të munden ta ngrenë shoqërinë në një nivel më të lartë. Kjo do t’u ndihmojë jo vetëm të rinjve, por edhe të gjithë shoqërisë, që të kemi zhvillim më të madh dhe një shoqëri më të arsimuar”, theksoi Prof. Dr. Rabije Murati.
Manifestimi i 7 Marsit – Dita e Mësuesit, u shënua edhe me një panel diskutimi, me temë “Arsimi shqip – dje, sot dhe nesër”, ku i paraqitën pikëpamjet e tyre, Prof. Dr. Xheladin Murati, Prof. Dr. Rabije Murati, z. Ahmed Qazimi dhe dekani i Fakulteti Pedagogjik, Prof. Dr. Fadbi Osmani.
Në programin e manifestimit të sotëm iu kushtua rëndësi e veçantë edhe 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare e Gruas. Fjalën e rastit për këtë datë të shënuar e mbajti, Doc. Dr. Besa Dogani. Ajo tha se, femra me delikatesën dhe butësinë e saj është e vetmja krijesë e kualifikuar për t’i dhënë jetën fëmijëve, t’i ofrojë dashurinë, kujdesin dhe edukatën. “Nga femra nënë do të varet drejtimi që do të merr kombi, sepse nga nëna varet se si do të duket gruaja dhe burri i së nesërmes. Nuk besoj të ekzistoj një nënë në botë, e cila nuk e dëshiron më të mirën për fëmijët e saj. Nuk besoj të ketë një grua që nuk dëshiron ta sheh popullin e saj të përparuar, të zhvilluar e të lumtur; nuk besoj të ekziston një nënë, sidomos shqiptare në Maqedoni, e cila bën gjumë të rehatshëm duke mos kujtuar për të nesërmen, për fatin e familjes dhe kombit të saj. Së fundmi, ata e dinë më mirë, ata ishin që e bënë zemrën gurë dhe i përcollën më të dashurit e tyre në betejën e themelimit të Universitetit të Tetovës, të ardhmërisë së popullit shqiptar” – tha, Doc.Dr. Besa Dogani.
Në këtë aktivitet, në nder të 8 Marsit – Ditës Ndërkombëtare të Gruas, të gjitha grave të pranishme në manifestim ju dhuruan lule./Europort.mk/