Reshjet e fundit të borës kanë lënë të bllokuar për më shumë se 30 orë banorët e fshatit Vicë të malësisë së Sharrit. Edhe pse apelet e tyre kanë filluar që ditën e djeshme, megjithatë, ekskavatori për pastrimin e rrugës, ka arritur në orën 14 në fshatin e tyre. Dhjetëra nxënës sot nuk kanë mundur të ndjekin procesin mësimor shkaku i rrugës së bllokuar, ndërsa as banorët e sëmurë e në dializë nuk kanë mundur të shkojnë në spital në Tetovë. Banorët e Vicës, kanë bërë përpjekje që me mjete të improvizuara të pastrojnë rrugën me makinat e tyre, por ka qenë e pamundur.
“Kanë kaluar 35 orë që jemi të bllokuar, ka dikush njeri të sëmurë në fshat por nuk dalim dot se rruga zënë është. Ja sikur e shihni, nëpër fshat është mëkeq se kjo, ekskavatori tani ka ardhur, ja siç e shihni ora për momentin është dy tani erdh. Ne shkojmë në punë kemi nxënës raste sëmundjesh, 1200 banorë jemi këtu”.
“Prej dje në mëngjes. Hyni pak në mëngjes por kot, se u dasht të jetë aty 24 orë ndërsa ai bëri një kalim dhe nuk u pa më”.
“Kemi pritur prej mëngjesit që rruga të jetë e lirë por nuk kanë ardhur ta pastrojnë. Kemi bë kërkesa nuk kanë ardhur”.
Nga Komuna e Tetovës thonë se ekskavatori ka nisur punën për pastrimin e rrugës që në orën katër të mëngjesit, por gjatësia e rrugës nga Sellca në Vicë, ka pamundësuar depërtimin më herrët në këtë fshat.
Në gjendje gati se të njëjtë, rezultojnë edhe fshatrat Brodec, Veshallë dhe Bozovcë. /Alsat/