Shpërbërja e Kuvendit muajin e ardhshëm mund të lërë pa miratuar disa nga ligjet të cilat ishin konsideruar si të rëndësishme për realizim të reformave në sistemin e shtetit. Duke qenë se Kuvendi pritet të shpërndahet më 11 shkurt, është pikëpyetje nëse brenda një muaji partitë politike do të mund të gjejnë gjuhë të përbashkët për realizimin e reformave në media dhe zbatimin e ligjit i cili ka hyrë në fuqi një vit më parë. Pushteti dhe opozita për një vit nuk arritën të gjejnë gjuhë të përbashkët për anëtarët e rinj të Këshillit Programor të Radio-Televizionin Kombëtar dhe Agjencinë për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale. Konkurset paraprake u zhbënë dhe procedura në Komisionin për zgjedhje dhe emërime në Kuvend nuk u përmbyll kurrë.
Po ashtu, nuk duhet edhe fati i Propozim ligjit për Prokurorinë Publike i cili është njëri nga ligjet kyçe për drejtësinë në vend, pas përfundimit të mandatit të PSP-së. Madje ky ligj, Nga Franca dhe Holanda është cilësuar si i rëndësishëm edhe për procesin euro-integrues dhe fillimin eventual të negociatave.
Në Kuvend ka ngecur edhe propozim-ndryshimi i Ligjit për mbrojtje. Edhe pse palët kishin konsensus, OBRM-PDUKM-ja nuk e pranon nenin që parashikon ndryshimin e emrit të ARM-së kurse LSDM-ja nuk heq dorë nga ky nen. Ligji për mbrojtje është i patjetërsueshëm për anëtarësimin e plotë në NATO për shkak të statusit nga ushtri për mbrojtje individuale të shtetit në ushtri për mbrojtje kolektive në Aleancë.
Përplasjet për ndryshimin e Kodit zgjedhor si propozim konkret në Kuvend duket se kanë marrë një epilog. Në takimet e fundit mes tre liderëve të partive më të mëdha, LSDM, OBRM-PDUKM dhe BDI, diskutimet për ndryshimin eventual të modelit zgjedhor u shtynë pas zgjedhjeve të 12 prillit. Ndërkohë, me ndërmjetësimin e Ministrisë së Drejtësisë, po këto parti, janë duke zhvilluar negociata për zbatimin e rekomandimeve të OSBE-ODIHR-së të cilat përfshijnë disa ndryshime më të vogla në legjislaturën zgjedhore.
Pushteti dhe opozita, në fund të vitit 2019, arritën marrëveshje për rreth 40 ligje, kryesisht në fushën sociale dhe të pensioneve, të cilat hynin në fuqi nga 1 janari./Alsat