Sot u zhvillua seanca e radhës e rastit “Reket” ku dëshmoi bashkëshortja e Orce Kamçevit, Ana Kamçeva dhe e punësuara te biznesmeni Kamçev, Mirjana Boshkovska, transmeton Portalb.mk.
Sipas dëshmitares së fundit, nga dhjetori i vitit 2018 deri në shkurt të vitit 2019, nga llogaritë private të familjes Kamçev janë nxjerrë disa herë nga 5 milionë, 12 milionë, 18 milionë dhe 24 milionë denarë.
“Në dhjetor kishte 12 milionë denarë, pesë milionë dhe diç më shumë se pesë milionë denarë. I këmbeva në këmbimore në euro. Në shkurt kam nxjerrë 18 milionë dhe 24 milionë denarë nga llogaritë e vajzës dhe nënës së Kamçevit. Me sigurim shkova në këmbimore dhe i këmbeva në euro. Pastaj i dërgova në shtëpinë e familjes Kamçev dhe atje bashkë me Kamçevin i rregullova paratë dhe bëra specifikim, pas çka u largova”, tha dëshmitarja Boshkovska.
Ajo dëshmoi se me dy çanta sportive, ka arritur të dërgon 710 mijë euro në shtëpinë e Orçe Kamçevit.
Seanca e radhës për rastin “Reket” do të mbahet më 25 dhjetor, seancë në të cilën do të dëshmojnë katër dëshmitarë.
Ndryshe, në rastin “Reket”, të akuzuar janë Bojan Jovanovski i njohur me nofkën Boki 13, ish shefja e Prokurorisë Speciale Publike (PSP), Katica Janeva dhe Zoran Milevski i njohur me nofkën Zoki Kiçeec. Boki 13 akuzohet se, ka kryer veprën penale “larje parash”, Janeva për “marrje e shpërblimit të jashtëligjshëm” dhe “shpërdorimin e pozitës dhe autorizimit zyrtar”, ndërkaq Kiçeeci për veprën “marrje e shpërblimit të jashtëligjshëm”.
Boki13 akuzohet se, ndikoi te Janeva për lëndën që e udhëhiqte PSP-ja, “Perandoria”, për t’ia lehtësuar pozicionin e të dyshuarit Orçe Kamçevit. Si shpërblim, Janeva ka marrë mobilie në vlerë prej 296.040,00 denarë dhe para në vlerë prej 50,000 euro, ndërkaq Boki 13 dhe Zoki Kiçeec shpërblim prej 1.500,000 euro.
Në rastin “Reket” të përfshirë janë edhe organizata “Lidhja Ndërkombëtare” me kryetar Boki 13, deputetja e Lidhjes Social Demokrate e Maqedonisë (LSDM), Frosina Remenski, babai i Boki 13 – Mile Jovanovski, nënpresidentja e Lidhjes Ndërkombëtare, Jasna Mandiq, Kristina Karavijanova dhe Bojan Novakovski. Kiçeec është dënuar me 3 vjet burg, pasi e ka pranuar fajin.