Kur kanë mbetur edhe katër muaj nga data e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, 12 prilli, partitë kanë filluar shqyrtimet e koalicionimeve eventuale parazgjedhore, duke bërë matematikat e brendshme që nënkuptojnë edhe matjen e opinionit publik përmes sondazheve, shkruan Gazeta Express-Maqedoni.
Në lojë janë shumë kombinime, nga ato më natyralet deri tek koalicionimet e pazakonta.
Sipas një burimi anonim brenda partisë më të madhe shqiptare, Bashkimit Demokratik për Integrim, thuhet se kjo parti ka porositur disa sondazhe të brendshme partiake për të matur disponimin e trupit elektoral madje edhe me pyetjen se si do reagonin në rast të koalicionimit parazgjedhor me ndonjë parti maqedonase.
Duke parë që sondazhet nuk janë edhe aq të mira në terren, BDI po shqyrton mundësinë e bashkëpunimit parazgjedhor me partitë maqedonase.
Ky bashkëpunim në opinion nuk do priteshte edhe aq mirë nga votuesit, mirëpo partisë do t’i jepte një siguri që edhe në përbërjen e ardhshme qeveritare do të jenë pjesë e pushtetit.
E gjithë kjo është si pasojë e refuzimit të partive tjera parlamentare shqiptare, dhe opsioni i vetëm mbeten partitë maqedonase.
BDI ka thyer akullin me bashkëpunimin me LSDM-në në zgjedhjet lokale, ku në shumë komuna kanë garuar bashkë me një kandidat.
Suksesi nuk kishte munguar, duke fituar gati të gjitha komunat ku kanë garuar së bashku.
Ndërsa me VMRO-DPMNE-në kanë qeverisur 3 mandate së bashku, duke krijuar një partneritet të fuqishëm në qeverisje, dhe vetëm pas presionit në vitin 2017, këto dy parti i ndanë rrugët.
Kohëve fundit siç duket BDI nuk pajtohet në shumë çështje me partnerin aktual, LSDM-në e Zoran Zaevit.
Këto përplasje kanë filluar të dalin në opinion kur kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, nuk e futi në rend të ditës marrjen e imunitetit të Trajko Veljanovskit, ish kryetar i Kuvendit dhe i dënuar nga Gjykata Themelore e Shkupit.
Më pas kanë vazhduar përplasjet edhe për punësimit, ku BDI ka akuzuar LSDM-së se po largon nga puna njerëzit e tyre për t’i zëvendësuar më pas me aktivistët e LSDM-së.
Për këto akuza ka pasur edhe përplasje publike në mes Muhamed Zekirit të LSDM-së dhe Blerim Bexhetit të BDI-së.
Rasti i fundit ishte edhe mos-pajtimi i BDI-së dhe VMRO-DPMNE me LSDM-në për ndryshimin e modelit zgjedhor.
Siç duket, BDI është afruar përsëri me VMRO-DPMNE-në, partnerin e dikurshëm, por ende nuk dihet epilogu i kësaj situate, a do të prodhojë një koalicion parazgjedhor apo pas zgjedhjeve, mbetet të shihet.
Në anën tjetër, opozita shqiptare nuk po arrinë të gjejë gjuhë të përbashkët për të bashkëpunuar para zgjedhjeve të 12 prillit, dhe duke garuar me një listë të vetme ku suksesi do të ishte real./GazetaExpress/