Gjatë ditës së sotme, kryetar i komunës së Gostivarit, Arben Taravari së bashku me udhëheqësin e Sektorit të urbanizmit dhe inspektorët e autorizuar dolën në terren për të ndjekur nga afër situatën me ndërtimin e banesave kolektive në Gostivar. U konstatua se në dy raste kemi të bëjmë me devijim nga leja e punës, respektivisht se ndërtohet përtej gabaritit të përcaktuar me planet detaje urbanistike në fuqi.
Me këtë rast, kryetari Taravari rikonfirmoi se i mbetet besnik qëndrimit se nuk do të tolerojë aspak ndërtime të egra, duke u dhënë afat investitorëve që brenda një jave gabaritin e objekteve ta kthejnë në përputhje me lejen e ndërtimit.
“Siç kam theksuar disa herë, toleranca ndaj ndërtimeve të egra do të jetë zero. Ne sot hasëm dy raste ku ndërtohet përtej lejes së ndërtimit, respektivisht mbi gabaritin e lejuar. Investitorët kanë afat një javë që t’i prishin ndërtimet shtojcë dhe objektin të vazhdojnë ta ndërtojnë në përputhje me lejen për ndërtim. Në të kundërtën, ne do të veprojmë”, ishte i prerë kryetari Taravari.
Komuna e Gostivarit apelon deri te të gjithë investitorët që gjatë ndërtimit t’i përmbahen strikt lejes, rregullave dhe strandardeve, ndërsa qytetarët i inkurajon që rastet e ndërtimeve të egra t’i denoncojnë para organeve. /Portalb/