Kryeministri Edi Rama po zhvillon edhe këtë mëngjes mbledhjen e jashtëzakonshme të qeverisë.
Në fjalën e tij, kreu i qeverisë përmendi emrat e personave, që kanë humbur familjarët nga tërmeti tronditës i 26 nëntorit, të cilët do të përfitojnë pension të posaçëm prej 1 milion lekë të vjetra në muaj.
“Sot miratojmë dy projektvendime si fillim për një trajtim të posaçëm financiar lidhur me fatkeqët më të mëdhenj në këtë histori që kanë nevojë për një ndihmë me karakter të përhershëm, për të gjithë jetën.
Si rezultat tragjedisë që u ka shkatërruar familjen dhe për ata që janë në moshë të thyer dhe përveç pensionit të tyre duhet të ndihmohen me një trajtim plus sa tetëfishi i pensionit social dhe i barabartë me pensionin e posaçëm që në masën më të lartë shkon në 60 mijë lekë të reja.
Atëherë lista që përfitojnë nga 100; Lindita Cara, e cila përfiton 100 mijë lekë në muaj, për Albert Carën gjithë jetën trajtim të vecantë financiar për Albert 100 mijë lekë, Aleks Çupi po ashtu, Albert Lala 100 mijë lekë, Denisa Greku 100 mijë lekë në muaj, Marjana Rexhepi 100 mijë lekë të reja në muaj, Femi Vata 100 mijë lekë të reja në muaj, Pranvera Qato dhe më pas trajtim plus pensionit prej 60 mijë lekë në muaj për ata që janë më të moshuarit në këto familje të shpartalluara nga tërmeti, që duhet t’u qëndrojmë pranë jo vetëm me ndihmë financiare, por edhe morale.
Mbrëmë kemi filluar sistemimin e tyre në shtëpi të reja, për të cilat familjet duhet të përfundojë brenda 15 dhjetorit maksimumi. Falenderoj Danjën që po kujdeset personalisht për sistemimin e tyre”, tha Rama.
(BalkanWeb)