Nuk ka mbështetje të pakushtëzuar nga BDI-ja, për iniciativën e LSDM-së, për interpretimin autentik të nenit 11 të Ligjit për falje.
Partnerët e koalicionit deri më tani nuk kanë qëndrim të harmonizuar në lidhje me vendimin Kushtetueses për të rishqyrtuar nëse ish presidenti Gjorge Ivanov, kishte apo nuk kishte të drejtë të tërhiqte faljen për të dyshuarit e atëhershëm, e që tani janë të akuzuar në rastet e PSP-së.
“Tani jemi duke u konsultuar me ekspertë juridikë vendorë dhe ndërkombëtarë për të sqaruar ligjërisht këtë situatë”-thonë nga BDI.
VMRO – DPMNE në këtë vendim të kushtetueses njeh politikë, megjithëse shumica e të amnistuarve në vitin 2016, janë ish zyrtarë të lartë të pushtetit dhe partisë. Opozita pa përgjigje nëse do të mbështesë propozimin e LSDM-së, për interpretim autentik të nenit 11.
“VMRO DPMNE në parim është kundër amnistive dhe faljeve. VMRO DPMNE nuk do të mbështes amnisti dhe falje. Nëse Zaev vazhdon me planin e tij dhe i tërbon qytetarët, VMRO DPMNE do të dalë me ta në protesta” tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO DPMNE.
LSDM përmes ministrit të brendshëm Oliver Spasovski kërkoi mbështetjen e VMRO DPMNE-së për interpretim autentik të nenit 11 nga Ligjit për falje.
#Dua të dërgoj mesazh edhe për kryetarin e Gjykatës kushtetuese sepse kjo gjykatë duhet të jetë gardian i kushtetutës dhe ligjeve, të jetë në nivel të detyrës që i është dhënë nga qytetarët. Të mbetet gardian i kushtetutshmërisë dhe të mos lejojë asnjë presion për asgjë” pohoi Oliver Spasovski, ministër i brendshëm.
LSDM dje dorëzoi kërkesë pranë Kuvendit për interpretim autentik të nenit 11 nga Ligji për falje. Kjo vijoi pasi Kushtetuesja prerazi tha se duhet ta vlerësojnë kushtetutshmërinë e nenit 11-a nga Ligji për falje. Me këtë nen, Ivanov tërhoqi amnistinë për 56 persona në vitin 2016. Tani para Gjykatës kushtetuese janë dy opsione – ta shfuqizojë nenin dhe në të ardhmen presidenti i shtetit të mos mund të tërheq falje ose ta abrogoj nenin, me çka në fuqi do ta kthente faljen e Gjorge Ivanovit për të gjithë të akuzuarit në rastet e PSP-së.