Rreth 9000 banor me vite presin hapjen e pikës kufitare Llojan –Miratoc. Aktualisht për t’i vizituar familjarët e tyre, në vend që t’i bëjnë 2 kilometër rrugë, ata duhet të kalojnë 40 kilometra. Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe ajo e Serbisë premtojnë që së shpejti do ta mundësojnë hapjen e këtij kufiri. Zëvendës-kryeministri i Qeverisë, Bujar Osmani njëherit edhe koordinator i projektit – “Kalimi kufitar – Llojan- Miratoc” zhvilloi takim me delegacionin e Republikës së Serbisë të kryesuar nga sekretari shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Serbisë dhe kryetar i komisionit për kalime kufitare të Serbisë, Miroslav Miliçkoviq. Në këtë takim ata janë dakorduar për një zgjidhje afatshkurtë dhe afatgjatë. Siç sqaron Osmani, ajo afatshkurtë do të jetë që të vendosen vetëm kabina të përkohshme, që qytetarët të mund të lëvizin dhe ajo afatgjatë do të nënkuptoj ndërtimin e pikës kufitare, me standarde ndërkombëtare. “Që të mos tejzgjatet puna e përgatitjeve infrastrukturore, u dakorduam sot që hapja të bëhet në dy faza. Faza e parë të jetë e përkohshme për qarkullimin e njerëzve me infrastrukturë, eventualisht edhe të improvizuar edhe që të mos zgjatet shumë koha e përgatitjeve për fillimin e pikës kufitare dhe e dyta zgjidhja e përhershme e cila pastaj mund të transformohet në pikë kufitare ndërkombëtare me të gjitha karakteristikat”, Bujar Osmani, zv/ kryeministër i Qeverisë. Sekretari shtetëror serb Mirosllav Miliçkoviq u shpreh se këtë projekt po e realizojnë pikërisht në frymën e ‘Mini-Shengenit’. “Pikërisht në frymën e ‘Mini-Shengenit’, me qëllim që të lehtësohet jeta e qytetarëve të vendbanimeve lokale të asaj ane, planifikojmë të hapim këtë pikë kufitare dhe u dakorduam që për tekstin të cilin do ta nënshkruajmë deri në fund të vitit. Biseduam edhe për atë se cilat kategori do mund të kalojnë si dhe në çfarë mënyre do të kryhet kontrolli kufitar. Dua të theksoj se arritëm pajtim për çështjet kryesore. Ditët në vazhdim shërbimet profesionale të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, do të rregullojnë të gjitha aspektet teknike dhe juridike”, Mirosllav Miliçkoviq, sekretar shtetëror në MPB-në e Serbisë. Lëvizje e qytetarëve nga Llojani në Miratoc dhe anasjelltas do të mund që gjatë verës të bëhet nga ora 07- 21:00, kurse gjatë dimrit prej 07-19:00. ndërkaq çështjet e tjera teknike siç thanë ata do të mund të bëhen të ditura deri në fund të javës. Për këtë projekt Qeveria ka kërkuar donacion nga ambasada e Norvegjisë, prej 2.4 milionë eurove./Shenja.tv