Rrëshqitjet anësore të dheut në Banjën e Qytetit për të cilën Portalb.mk ka informuar ndër vite, sot kanë rrezikuar jetën e qytetarëve. Personat të cilët kishin shkuar për rekreacion nuk kanë mundur të ngjiten në pjesën kryesore të banjës ndërsa veturat janë bllokuar nga shembja e tokës përreth. Nga Komuna e Tetovës nuk përgjigjen se a e kanë në plan të intervenojnë dhe kur, shkruan Portalb.mk.
Edhe pse rruga e banjës mund të konsiderohet si rrugë e re, pasi që e njëjta është ndërtuar në vitin 2017, ajo megjithatë nuk është adekuate dhe plotësisht e sigurt për shkak se shpesh herë ka shembje të tokës përreth.
Sot që flasim, qytetarët kanë dërguar një fotografi deri te Portalb.mk ku shihet se si pasojë e shembjes anësore të dheut është bllokuar tërësisht rruga për te Banja e Qytetit në Tetovë.
Rikujtojmë se pasi nga Komuna e Tetovës nuk e mbajtën premtimin për parandalimin e shembjeve anësore në Banjën e Qytetit për muajin mars, punët për këtë filluan në fillimin e këtij muaji.
“Ajo që punohet tani është sigurimi i hapësirës i cili deri tani ishte i rrezikshëm për këmbësorët. Kemi filluar me ndërtimin e kaskadave në disa pjesë, kështu do të mbrohen pikat kritike në të cilat pas ndryshimit të kushteve klimatike ka mundësi për rrëshqitje të dheut dhe me këtë të shkaktojnë dëm natyrës dhe kalimtarëve. Pas pjesëve më kritike, në të ardhmen do të gjenden pjesët ku duhet të vazhdohet me punë për këtë. Parashohim projekt edhe më të madh për mbrojtjen e kësaj pjese të banjës së qytetit”, tha Senazana Novakovska nga Komuna e Tetovës, me datë 7 prill.
Përveç kësaj, nga Komuna e Tetovës konfirmuan se njëkohësisht punohet edhe për rregullimin e murit mbajtës të rrezikshëm, i cili ndër vite është gati duke rënë kurse autoritetet komunale deri tani nuk kishin ndërmarrë asnjë masë për këtë.
“Po, pikërisht edhe për atë lokacion po punohet” tha Armend Fazliu nga Komuna e Tetovës me datë 7 prill.
Tash 4 vite premtohen muret mbajtëse për shembjet anësore në Banjën e Qytetit
Në vitin 2018 nga Komuna e Tetovës, pikërisht për Portalb.mk premtuan se do të zgjidhin problemin me shembjet anësore në Banjën e Qytetit, edhe atë për atë vit, kjo ende nuk ka ndodhur.
Ndryshe, aktivistë të shoqërisë civile ndër vite kanë kërkuar rregullimin e këtij problemi, ata atëherë u shprehën se rruga e cila çon deri në Banjën e Tetovës në më tepër vende është e rrezikshme. Erozionet zgjatin përgjatë gjithë rrugës, kurse të dëmtuara janë edhe mbrojtëset anësore. Ata thonë se qytetarët të cilët e shfrytëzojnë këtë pjesë për rekreacion, thonë se rrënojat kanë filluar që nga momenti kur autoritetet kanë filluar rekonstruktimin e rrugës. /Portalb.mk/