Avancimi i edukimit financiar është i një rëndësie të madhe për zhvillimin ekonomik të një vendi, sepse sa më financiarisht e edukuar është popullsia – merren vendime më të mira financiare. Ministria e Financave, si anëtare e organit ndërresorial për edukimin financiar, përmes veprimtarive të ndryshme në kontinuitet vepron me qëllim të ngritjes së edukimit financiar. Si pjesë e fushatës ndërkombëtare të Javës Globale të Parave, e cila u shënua këtë javë, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave mbajtën disa ligjerata online për arsimin e lartë, të mesëm dhe fillor.
Ministri i Financave Fatmir Besimi iu bashkangjit fushatës me ligjeratën e tij mbi Buxhetin – funksionet dhe ekzekutimin e tij, të cilën ai e mbajti para studentëve të Universitetit të Evropës Juglindore. Besimi vuri në dukje se buxheti pasqyron politikat e qeverisë dhe se synon të kontribuojë në zhvillimin shoqëror dhe ekonomik të vendit. Buxheti i këtij viti, tha ministri, bazohet në tre prioritete – shëndetin e qytetarëve, rritjen ekonomike dhe reformat institucionale që synojnë integrimin euro-atlantik.
Java Globale e Parave është një fushatë vjetore për të rritur ndërgjegjësimin lidhur me rëndësinë e edukimit financiar dhe arsimit. Ajo është e organizuar nga Rrjeti Ndërkombëtar i OECD për edukimin financiar (OECD / INFE), në të cilin vendi ynë është anëtar përmes organit ndërresorial për edukimin financiar të përbërë nga Banka Popullore, Ministria e Financave, Komisioni i Letrave me Vlerë, Agjencia për Mbikëqyrjen e Sigurimit Pensional të Financuar Kapital – MAPAS dhe Agjencia e Mbikëqyrjes së Sigurimeve.
Në kuadër të Javës Globale të Parave, organizatat (publike, private dhe jofitimprurëse) në të gjithë botën organizojnë ngjarje të tilla si ligjerata, aktivitete në internet, konkurse vizatimesh, fotografi, ese dhe video, punëtori për edukimin financiar online dhe aktivitete të tjera. Nisma u nis në vitin 2012 dhe që atëherë numri i vendeve pjesëmarrëse është rritur vazhdimisht. Këtë vit, “Java Globale e Parave” organizohet nën moton “Kujdesu për veten, kujdesu për paratë e tua”.