Shtetësia jonë fillon në themelet e antifashizmit, por është e papranueshme t’i japim karakteristika etnike fashizmit, deklaroi dje kryeministri dhe udhëheqësi i LSDM-së Zoran Zaev, duke iu referuar qëndrimeve të shprehura në një intervistë për agjencinë bullgare të lajmeve BGNES, gjë që provokoi reagime publike.
Gjuha maqedonase dhe identiteti maqedonas nuk janë në tryezën e bisedimeve, askund në botë nuk ka negociata për identitetin dhe gjuhën amtare. Bullgaria njeh realitetin e gjuhës maqedonase dhe identitetin maqedonas, por dëshiron të flasë për historinë, të kaluarën dhe rrënjët, deklaroi kryeministri Zoran Zaev në përgjigjen e një pyetjeje të një gazetari nëse ai do të pranojë kërkesat bullgare në lidhje me gjuhën maqedonase.
“KAÇKM është vërtetim historik i gjuhës tonë maqedonase dhe identitetin tonë maqedonas. Por, dhënia e karakteristikave etnike fashizmit është e papranueshme. Nëse ka qenë kjo në kontekstin bullgar apo në ndonjë kontekst tjetër. Faqet e errëta të historisë ballkanike dhe evropiane nuk duhet të jenë pengesë për zhvillimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore në Ballkan dhe Evropë”, tha Zaev.
Ai shprehi keqardhje që intervista ka shkaktuar emocione të fuqishme negative, për të cilat, siç tha, është tërësisht i vetëdijshëm dhe i kupton deri në hollësi.
“Por, në të njejtën kohë kam obligim ndaj qytetarëve të Maqedonisë të nxis lëvizje drejt zgjidhjes së pyetjeve që u hapën me Republikën e Bullgarisë dhe që u bënë pengesë për miratimin e kornizës për negociata me Bashkimin Evropian. Që të dy popujt, edhe maqedonasit edhe bullgarët, duhet të përballemi me ato çështje nga historia dhe të zhvillojmë dhe mirëmbajmë kapacitet për mirëkuptim dhe për falje. Popujt evropianë u dakorduan të mos harrojnë, por të falin. Për shkak të së ardhmes. Për shkak të së ardhmes së përbashkët në Bashkimin Evropian, që është shembull si në emër të së ardhmes dallimet më të thella dhe konfliktet historike iu lanë të kaluarës. Ai është qëllimi im më i mirë dhe atë qëllim vazhdimisht do ta përfaqësoj derisa ekziston edhe mundësia më e vogël për zgjidhje dhe për sukses të procesit tonë për anëtarësim në BE me fillim të negociatave”, tha Zaev.