Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk përcakton përgjegjësi penale për ministren e financave, Nina Angellovska, në rastin e falimentimit të Bankës “Eurostandard”, por nga aspekti etik çështjen e ngre në një shkallë të lartë. Angellovska, sipas kreut të Anti-korrupsionit, Biljana Ivanovska, për shkak të pozitës së saj si ministre, ka disponuar me të gjitha informacionet lidhur me tregun financiar dhe atë bankar dhe kjo e ka vënë në avantazh në raport me depozituesit e tjerë të bankës. Ajo shtoi se vendimi është bazuar në të gjithë dokumentacionin e marrë nga Ministria e Financave dhe Banka Popullore.
“Pas marrjes së detyrës, ministrja e financave, sipas detyrës zyrtare, disponon me informacionet dhe të dhënat për lëvizjet në tregjet bankare dhe financiare dhe kishte mundësinë të zbulonte të dhënat që lidhen me bankën, ku ajo është klient, e të cilat nuk ishin të disponueshme për depozituesit e tjerë në atë bankë. Këto të dhëna mund të kishin ndikuar në vendimin e saj në lidhje me depozitimin në atë bankë, gjë që i dha asaj një avantazh ndaj depozituesve të tjerë në bankë. Prandaj si përfundim mund të them se ne nuk përcaktojmë përgjegjësi penale por për shkak të aspektit etik çështjen e ngrisim në nivel të lartë.”,- tha kryetarja e KSHPPK-së, Biljana Ivanovska.
Ivanovska nënvizoi se Qeveria, me rekomandimin e GREKO-s, ka miratuar një kod etik, i cili përcakton që anëtarët e qeverisë dhe mbajtësit e posteve publike duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë respektimit të Ligjit për konfliktin e interesit, por edhe të shmangin dyshimet për ekzistencën konflikti i interesit. Ivanovska gjithashtu tha se nuk do të ndalet së kërkuari që të miratohet ligj që përcakton prejardhjen e pasurisë së funksionarëve.