Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa është në rrugë të mbarë drejt marrëveshjes për krijim të shumicës me koalicionin “Mundemi” pohon Sekretari Gjeneral i Alternativës dhe deputeti i sapo zgjedhur, Skender Rexhepi. Ai për TV21 thotë se bisedimet zyrtare ende nuk kanë filluar dhe se të njëjtat pritet të nisin javën që vjen.
“Gjithsesi parimi i parë i koalicionit tonë ishte të presim realizimin e premtimit apo thënë ndryshe mashtrimit parazgjedhor të BDI-së lidhur me kryeministrin shqiptar. Por, pas deklaratës së kryetarit të LSDM-së, me ç’rast ai këtë temë e largoi nga tavolina e bisedimeve, ne konsiderojmë që BDI-ja përfundimisht e ka humbur legjitimitetin e bisedimeve për qeveri. Kështu që, pas dhënies së mandatit nga presidenti i shtetit për kryetarin e LSDM-së, koalicioni ASH-AAA edhe zyrtarisht do të zhvillojë bisedime për qeverisje dhe duke pasur parasysh gatishmërinë e mandatarit në përmbushjen e platformës programore edhe të koalicionit tonë, konsiderojmë që jemi në rrugë të mbarë drejt marrëveshjes” tha për TV21 Skender Rexhepi, nga koalicioni ASH-AAA.
Nga ana tjetër edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se sinjalet e para nga takimi i djeshëm Zaev-Ahmeti për bashkëqeverisje janë shpresëdhënëse, por mbetet të shihet se cili do të jetë epilogu. Pikëpyetje mbetet edhe kërkesa e BDI-së për Kryeministër shqiptar. Zëdhënësi integrist Bujar Osmani dje duke folur për TV21 nuk zbuloi asgjë për këtë çështje, por vetëm tha se po bëhen përpjekje për rikthim të mirëbesimit të humbur gjatë fushatës zgjedhore, duke lënë të kuptohet çdo “zënkë” parazgjedhore mund të hidhet prapa krahëve.
“Gjithçka që keni dëgjuar qoftë edhe si qëndrime të partive politike, para se të fillojnë negociata, kanë qenë pozicionime të partive, kanë qenë diku-diku lajme të pabaza, ashtu që nuk duhet të merren si të qëndrueshme dhe zyrtare. Ajo që është e qëndrueshme është fakti se nga sot kanë filluar bisedimet zyrtare me LSDM-në për të arritur një marrëveshje për bashkëqeverisje, dhe atje do të shtrohen pozicionet tona, natyrisht dhe pozicionet e tyre, dhe të shohim cili do të jetë epilogu” u shpreh Osmani.
Takimet me partitë e tjera nuk përjashtohen, tregoi Osmani. Nga LSDM-ja sot thanë kanë filluar negociata serioze, tërësore me kryetarë dhe përfaqësues të lartë të partive politike të cilët janë pjesë e përbërjes kuvendore. Detaje nuk japin. Thonë se po “bisedojnë ekskluzivisht për formimin e Qeverisë e cila kujdeset për të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë, të liruar nga çdo paragjykimesh etnike apo çfarëdo qoftë nacionalizmi”.