Rëndësia e rrjeteve sociale dhe hapësirës digjitale në përgjithësi për formimin e mjedisit demokratik në secilin vend është dukshëm në rritje, dhe numri i shembujve të dokumentuar të vendeve në të cilat shihet se si betejat parazgjedhore në internet vendosin drejtpërdrejt se kush do të fitojë pushtetin gjithnjë rritet.
Kriza e koronavirusit ka ndryshuar gjithashtu mënyrën si partitë mund (dhe duan) të mbajnë fushatën, duke acaruar më tej fokusin e aktorëve politikë në mediat sociale.
Në vendin tonë, duhet të merren parasysh disa veçanti lokale. Dhe pa pasur një pasqyrë të saktë socio-demografike të strukturës së popullsisë në vend, është e qartë se nëse jeni një parti politike, grupi juaj i synuar në çdo zgjedhje plotësohet nga të rinjtë, për të cilët Interneti nuk është vetëm burimi kryesor, por edhe i vetmi burim informacioni.
Votuesit e moshuar, të cilët mbështeten në mediat tradicionale, ndryshe nga të rinjtë, kanë shumë më pak mundësi për të ndikuar mbi mesazhet parazgjedhore të partive përmes video inçizimeve dhe përmbajtjeve të tjera në mediat sociale.
Sidoqoftë, televizioni po ngadalë por me siguri po e humb epërsinë që mban tradicionalisht në informimin e qytetarëve maqedonas, ndërsa Interneti dhe rrjetet sociale po bëhen hapësira ku zhvillohet konfrontimi i vërtetë parazgjedhor.
Ky fakt, natyrisht, është kuptuar mirë nga partitë politike maqedonase, të cilat, në këtë fushatë, duket se po i kushtojnë më shumë vëmendje prezantimit në Internet dhe veçanërisht reklamimit të paguar në rrjetet sociale.
Në një situatë kur qasjet tradicionale, siç është demonstrimi i numrave përmes tubimeve klasike parazgjedhore dhe kontakti i drejtpërdrejtë me votuesit në fushatat “derë më derë” janë jashtë lojës, partitë mund t’i lejojnë vetes (as që kanë zgjidhje tjetër) për të devijuar pjesën më të madhe të buxheteve të tyre të cilat përndryshe do ta shpenzonin në skena të shtrenjta, zërim dhe autobusa për tubime – në reklamim në rrjetet sociale.
Në dhjetë ditët e para nga fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore, vërehet se shpenzimi i partive maqedonase në reklamim në internet është pothuajse tërësisht në Facebook dhe platformat shoqëruese të tij – Instagram dhe Messenger. Kjo nuk është për t’u habitur – sipas hulumtimeve të fundit, gjigandi në mesin e rrjeteve sociale ka më shumë se 1.1 milion profile aktive të Facebook-ut në vend dhe është deri tani hapësira më e popullarizuar për socializimin (dhe informimin) e qytetarëve të Maqedonisë në internet.
Videot parazgjedhore, të cilat transmetohen në televizion sipas një programi dhe fushëveprimit të caktuar nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve, mund të kenë për herë të parë Facebook-un si platformën e tyre të rangut të parë. Kjo është veçanërisht e vërtetë për videot që, me konceptin, temën dhe performancën e tyre, synojnë kreativitetin dhe risinë në shprehjen e mesazheve politike, dhe kështu synojnë votuesit e rinj.
Por një qytetar mesatar nuk e di se sa kushton reklamimi në Facebook dhe çfarë mund të përfitohet me një sasi relativisht të vogël parash, kështu që pranishmëria e padyshimtë e reklamave të partive gjatë fushatës mund të japë lehtë një përshtypje të gabimshme që postimet e sponsorizuara në Facebook i kushtojnë partitë shuma të larta parash.
Si pjesë e politikave të transparencës në të cilat u detyrua të ndiqte pas zgjedhjeve presidenciale të SHBA të vitit 2016, Facebook publikon numrin e posteve aktive të sponsorizuara në secilën faqe, dhe kur bëhet fjalë për reklamat politike ose parazgjedhore, rrjeti social zbulon edhe shumën e kostos së faqeve.
Por që kjo të ndodhë, ajo faqe duhet të kalojë një proces kompleks autorizimesh nga Facebook-u, dhe më pas të jetë plotësisht transparente rreth asaj se kush saktësisht paguan për secilën reklamë. Nuk është e vështirë të kuptohet pse faqet në Facebook të partive tona politike zgjedhin të mos hyjnë në komplikime të tilla dhe të publikojnë reklamat e tyre si çdo faqe tjetër të një kompanie ose dyqani.
Ekipi monitorues i CIVIL-it