Për aderim në Bashkimin Evropian, Maqedonia e Veriut e ka për detyrë të përpilojë “strategji parahyrëse” e cila do të mundësonte suksesin e reformave. Kjo strategji, mes tjerash, përshin kriteret politike të cilat në thelb kanë stabilitetin e institucioneve që do të garantojnë demokraci, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave, shkruan Portalb.mk. Në prag të raportit të ri të Komisionit Evropian, sa i ka plotësuar RMV këto kritere?
Sipas Xhabir Derallës, presidentit të CIVILit, , vullneti politik për ndërmarrjen e reformave është kryesor për aderim të suksesshëm.
“Institucionet në RMV, nuk mund të lëvdohen me profesionalizmin, megjithatë, mund të njoftojnë një ndryshim drastik mes situates së institucioneve nga zgjedhet e vitit 2016. Institucionet ishin nën kthetrat e një regjimi të ashtuquajtur Gruevski. Atë që mund ta theksojmë në këtë periudhë është se duhet vullnet politik për ndryshim dhe reforma serioze të institucioneve. Me këtë do të ecin në përputhje me kriteret për reforma nga ana e Bashkimit Evropian. Ajo që në vendin tonë është kyçe është fakti se në themelimin e qeverisë teknike vendi ndoqi modelin e Përzhinos, si model qeverisës i siguruar me mbështeje të BE-së”, tha për Portalb.mk, Xhabir Deralla, president i CIVILit.
Ai mendon se institucionet e RMV-së, do të duhet të ndjekin modelet evropiane për të qenë pjesë e saj dhe kjo varet nga vullneti politik për reforma, për zbatimin e kritereve evropiane, që të kemi institucione stabile, në përputhje me standardet evropiane.
Profesori universitar, Bashkim Selmani thotë se liria, siguria dhe drejtësia janë komponentet bazë që implementojnë institucionet e shteteve evropiane, ndërsa shtetet pretendete duhet detyrimisht t’i plotësojnë këto kritere.
E para, korrupsioni institucional. E dyta, nepotizmi partiak dhe ai familjar e gurpor. E treta, institucione me borxhe të larta. Këto janë indikatorët bazë të gjendjes faktike institucionale që nuk lejojnë stabilitetin e institucioneve nga njëra anë, dhe nga ana tjetër nuk garantojnë demokraci funksionale, sundimin e së drejtës, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të minoriteteve”, thotë Selmani.