Zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 15 korrik. Për këtë datë, siç publikoi, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, është arritur marrëveshje midis tij dhe liderit të opozitës VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, nga i cili pret që ta konfirmojë publikisht këtë. Ata do t’i kërkojnë presidentit Stevo Pendarovski të shpallë një gjendje të re të jashtëzakonshme, por siç tha ai, vetëm që të sillen dekrete për rregullimin e procesit zgjedhor.
“Ne po ndërmarrim hap që menjëherë të përfundojë kjo lojë nervash që të mos e pësojë populli. Dihet edhe në të kaluarën se kush ishte përgjegjës si për qytetarët ashtu edhe për shtetin. Ashtu edhe tani, LSDM-ja e tregon madhësinë, mirëkuptimin dhe përgjegjësinë e saj. Në mënyrë që njerëzit të mos vuajnë dhe t’i mundësohet Mickoskit dhe VMRO-DPMNE-së ta tregojnë përgjegjësinë e tyre në vepër, e rrumbullakësojmë 15 korrikun si datë përfundimtare për zgjedhje në të cilat është e garantuar se do të marrë pjesë opozita” tha Zaev në konferencën e sotme për shtyp në selinë e partisë.
Ai potencoi se njerëzit e sëmurë dhe të pamundurit do të votojnë dy ditë më parë, përfshirë personat me koronavirus, por edhe ata që janë në izolim shtëpiak dhe në vetizolim. Heshtja do të bëhet në fund të ditës së diel, më 12 korrik.
“Edhe kësaj radhe LSDM tregoi se sa më shumë është parti e përgjegjshme përkundër VMRO-DPMNE-së. Është koha që ata të guxojnë ta konfirmojnë këtë vendim para njerëzve. Kjo është për shpëtimin e shtetit. Të përgjigjen dhe të hyjnë në procesin demokratik së bashku me të gjithë aktorët e tjerë politikë”, tha lideri i LSDM-së.
Ai shtoi se nga presidenti Stevo Pendarovski do të kërkojë gjendje të re të jashtëzakonshme vetëm për zgjedhjet.
“Hapi tjetër do të jetë të kërkojmë nga presidenti Pendarovski gjendje të re të jashtëzakonshme për ta siguruar pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje, për ta ndryshuar ditën e zgjedhjeve nga e diela në të mërkurë, 15 korrik dhe për të votuar në vend se deri në orën 19 deri në orën 21, të caktohen e hëna dhe e marta 13 dhe 14 korrik për të pamundurit dhe të sëmurit, të mbrohen të gjithë qytetarët dhe ta kenë të drejtën e votës, si dhe të definojmë që heshtja do të skadojë të dielën në mesnatë”, tha Zaev, duke theksuar se kjo gjendje e re e jashtëzakonshme do të jetë vetëm për shkak të harmonizimit të 15 korrikut për datë të zgjedhjeve, ndërsa jo për shkak të ndonjë mase ekonomike për ta përballuar krizën sepse ato tashmë janë duke u realizuar.
Ai vlerëson se një marrëveshje do të ishte arritur më herët, nëse, siç theksoi ai, vendi kishte një opozitë më të përgjegjshme. Sidoqoftë, kjo konsideron ishte blerje e kohës dhe mbledhje e guximit të opozitës për t’u përballur me njerëzit. Të gjitha arsyetimet për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, tha ai, nuk kishin asnjë lidhje me të, sepse ato as nuk u përmendën në takimin e fundit te Pendarovski.
I pyetur nëse ka ndonjë garanci që Mickoski nuk do ta ndryshojë mendjen në lidhje me këtë datë, Zaev theksoi se “një njeri vlen aq sa vlen fjala e tij”.
“Kjo është arsyeja pse unë i bëj thirrje sot që të thotë edhe ai që më 15 korrik do të shkojnë në votime. Ne bëjmë disa lëshime sepse data e parë ishte më 14 qershor, pastaj 21 qershor, pastaj 5 korrik, dhe tani 15 korrik. Është në rregull që më i madhi dhe ai që është më i përgjegjshëm të bëjë lëshim”, tha Zaev, duke theksuar se zgjedhjet janë të nevojshme për të siguruar institucione funksionale.
Paralajmëroi se për marrëveshjen do ta informojnë presidentin Pendarovski, i cili, siç tha ai, do t’i informojë partitë e tjera politike. Me Mickoskin u pajtuan t’i informojnë edhe anëtarët e KSHZ-së, të ulen dhe t’i harmonizojnë të gjitha protokollet për mbajtjen e procesit zgjedhor.
“Më tej vendosin qytetarët. Ata do të thonë se kush do të ballafaqohet me Kovid-19 në vjeshtë. LSDM është një qeveri e përgjegjshme që pas 15 korrikut do të vazhdojë ta udhëheqë vendin në rrugën e duhur edhe më mirë. Qytetarët do të thonë se kush do të ballafaqohet me Kovid në vjeshtë”, deklaroi Zaev.
Lidhur me azhurnimin e listës së votuesve, ai tha se procesi është ndalur pasi është bërë shqyrtimi publik dhe se kanë mbetur dy ditë që partitë politike të reagojnë.
Në ndërkohë, tha ai, MPB sipas detyrës zyrtare mbrëmë, në KSHZ i dorëzoi të dhënat për të gjithë personat që mbushin 18 vjet deri më 5 korrik dhe e fitojnë të drejtën e votës.
“Azhurnimi i listës së votuesve është në fazë ku ne kemi ndaluar, por është një proces me disa nënfaza. MPB dorëzon një listë, më pas bëhet shqyrtimi publik, më pas e drejta e partive politike të reagojnë, më pas qytetarët e kanë të drejtën e procedurës administrative … Shqyrtimi publik ka mbaruar dhe kanë mbetur edhe dy ditë partitë politike të reagojnë. Prej këtu procesi duhet të vazhdojë. Mbrëmë, MPB paraqiti zyrtarisht një listë të plotë për të gjithë personat që do t’i mbushin 18 vjet deri më 5 korrik dhe që kanë të drejtë vote”, theksoi lideri i LSDM-së.
I pyetur nëse LSDM-ja i humbë zgjedhjet a do të japë dorëheqje, Zaev theksoi se është i bindur që LSDM-ja do të fitojë, ndërsa këtë, thekson ai, e tregojnë edhe hulumtimet e tyre.