Benjamin Arifi, gazetar
Kryeministër shqiptar i RMV është hipotezë legjitime, por populli nuk mund ta marrë seriozisht kur vjen nga BDI. Kjo parti në dekadën e fundit ka funksionuar me principin “kaç e le”, duke braktisur disa procese që i mori përsipër. Ja disa prej tyre:
🚫GJUHA SHQIPE – BDI u formua si parti tematike për të implementuar Marrëveshjen e Ohrit, që duhej bërë gjatë mandatit të saj të parë në Qeveri. Por ju kujtohet se si gjuha shqipe (përdorimi zyrtar i saj) u “zyrtarizua” 3-4 herë nga BDI. Avancimi i fundit u bë në vitin 2017 si rezultat i Platformës së Partive Shqiptare, kur BDI kishte humbur gjysmën e votave dhe deputetëve dhe formimi i Qeverisë nuk varej vetëm prej tyre.
🚫INTEGRIMET – Që kur u rikthye në pushtet në vitin 2008, BDI deklarativisht kërkonte ndryshimin e emrit të shtetit dhe zhbllokimin e integrimeve euroatlantike. Në vitin 2013 Ali Ahmeti shkruan kolumnën e tij të parë në gazetat “Koha” dhe “Dnevnik”, me titull “Koha është për NATO”. Paralelisht nga vartësit e tij vinin paralajmërime se nëse nuk ka kompromis për emrin, BDI do ta braktisë Qeverinë. Kjo nuk ndodhi, BDI qëndroi për 8 vite në Qeverinë pro-Ruse të Gruevskit me integrime të bllokuara.
🚫BENELUKSI BALLKANIK – Në vitin 2012 BDI proklamon idenë për “Beneluks Ballkanik”, bashkëpunim i avancuar ekonomik mes Maqedonisë, Kosovës dhe Shqipërisë sipas modelit të Beneluksit. Kjo ide zgjati vetëm disa ditë, pasi u hodh poshtë nga partneri i tyre VMRO DPMNE.
🚫KONSENSUALITETI – Ideja e BDI-së për vendimmarrje konsensuale buron nga zgjedhjet presidenciale 2014, kur bojkotuan zgjedhjet për shkak se nuk u gjet “kandidat konsensual”. Pesë vite më vonë, në vitin 2019 e quajtën konsensual kandidatin e njejtë Stevo Pendarovskin, ndërsa e braktisën tërësisht kauzën për “vendimmarrje konsensuale”.
🚫ZHVILLIMI EKONOMIK – Me integrime të bllokuara dhe gjuhën shqipe të “zyrtarizuar” disa herë, në vitin 2015 BDI u kthye kah ekonomia si bazë e fushatës së saj. Premtoi autostradën Shkup-Bllacë dhe hekurudhën me Shqipërinë si prioritete urgjente. Në vitin 2020 asnjëra nuk është bërë, ndërsa shpërngulja e shqiptarëve si pasojë e kushteve ekonomike gjatë këtyre 5 viteve ka qenë rekorde.
Kjo listë mund të zgjasë pafund me premtimet për hetime ndërkombëtare për proceset e dyshimta, veting në gjyqësor etj. Por mjafton sa për pasqyrë se cilat ishin kauzat e deritanishme dhe sa u realizuan.
Pastaj është çështje për tjetër analizë nëse kryeministri shqiptar do të zgjidhte me shkop magjik problemet reale dhe urgjente të shqiptarëve vetëm si figurë politike, si emër dhe mbiemër e pa fuqi, aftësi, vizion e dëshirë për të punuar për qytetarët.
Por duke pasur parasysh se sa janë gjasat reale që BDI ta çojë në port këtë proces… nuk ka nevojë për një analizë të tillë.