Të rikthehet ora policore, nga e enjtja deri të hënën për komunat e Shkupit, Kumanovës, Shtipit dhe Tetovës, ndërsa me orar të kufizuar për të gjitha qytetet e tjera të vendit, ka propozuar Komisioni për Sëmundje infektive. Këto propozime kanë dalë nga mbledhja e sotme që komisioni ka mbajtur me përfaqësues të Qendrave lokale të shëndetit publik, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe me prezencë të ministrit të Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Konkretisht, pas mbledhjes, Komisioni për Sëmundje Infektive ka dorëzuar Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut propozime për masa për periudhën e fundjavës së vazhduar edhe atë:
– Orë policore nga dita e enjte (4 qershor) nga ora 21:00 deri të hënën (8 qershor) në 05:00 të mëngjesit në Shkup-të gjitha komunat e Shkupit, Komunën e Kumanovës, Komunën e Likovës, Komunën e Shtipit, Komunën e Tetovës, si dhe Bogovinë, Bërvenicë, Tearcë, Zhelinë dhe Jegunoc.
– Në të gjitha qytetet e tjera ora policore të zgjasë – nga dita e enjte (4 qershor) nga ora 21:00 deri të premten (5 qershor) në ora 05:00 të mëngjesit. Ditëve të tjera ora policore të fillojë nga ora 16:00 dhe të zgjase deri ditën e nesërme në ora 05:00 të mëngjesit.
Përveç kësaj në mbledhje, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme janë informuar për vështirësitë me të cilat ballafaqohen ekipet në teren për të pasur qasje deri te njerëzit për testim dhe shkeljet e masave të vetëizolimit. Nga shërbimet e MPB-së është kërkuar azhurim më I madh, veprim efektiv në terren, kontrolle dhe sanksionim për shkeljet e masave.
Propozimi duhet të miratohet në Qeveri.