Kryetari i Alternativës, Afrim Gashi pas përfundimit të takimit tha se qëndrimet e partive politike maqedonase ishin diametralisht të kundër.
“Nëse ata do të kishin tejkaluar dallimet dhe të zgjatnin dorën atëherë do të na gjenin aty ku ne e kishim qëndrimin, diku ka fundi apo mesi i korrikut. Shpresoj se ditët në vijim do të vazhdojnë konsultat në forma tjera dhe të merremi vesh për një datë që të kemi zgjedhje, të kemi institucione por edhe qytetarët të jenë të mbrojtur të mos jenë të ekspozuar ndaj rreziqeve ditën e zgjedhjeve”, ka deklaruar pas takimit, Afrim Gashi.
Nëse nuk ka ndonjë datë të caktuar në mënyrë konsensuale, Gashi tha se sipas disa interpretimeve që u thanë në takim, pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme, afatet rrjedhin me automatizëm dhe zgjedhjet duhet të mbahen në fund të qershorit.
“Por ne mendojmë se kjo nuk është e shëndetshme as për qytetarët as në aspektin shëndetësor as në aspektin politik. Nuk është mirë të shkojmë në zgjedhje pa ndonjë marrëveshje mes partive politike”, deklaroi më tej Gashi.