Lideri i LSDM-së Zoran Zaev pas takimit të sotëm të kryetarëve të partive te presidenti Stevo Pendarovski, tha se gjatë bisedimeve u projektuan data të caktuara për mbajtje të zgjedhjeve parlamentare, varësisht nga ajo nëse dhe për sa kohë do të vazhdohej gjendja e jashtëzakonshme.
Sipas tij, të gjithë u pajtuan se zgjedhje duhet të ketë 22 ditë pas heqjes së gjendjes së jashtëzakonshme.
“LSDM dhe koalicioni në të gjitha mënyrat e mundshme bëri hapa demokratikë që të thirret Parlamenti dhe të vendoset në funksion. Kryetari i Kuvendit vendosi se nuk mund të thirret. Me atë sot u bë e qartë se vetëm shpallja e zgjedhjeve është sipas Dekretit me fuqi ligji të Qeverisë i cili ka të bëjë në 22 ditë pas përfundimit të gjendjes së jashtëzakonshme. Duke i konfirmuar të gjitha aspektet ligjore, të paktën një pjesë e rëndësishme sot kemi rrumbullakuar”, tha Zaevi. Njëkohësisht, tha lideri i partisë në pushtet, ishte e rëndësishme që u projektuan data të caktuara potenciale.
“Nëse nuk ka gjendje të tretë të jashtëzakonshme, domethënë se zgjedhjet do të ishin më 8 qershor, nëse shpallet gjendje e re e jashtëzakonshme prej 30 ditëve do të ishin më 7 korrik, ndërsa nëse bëhet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme prej dy javëve atëherë zgjedhjet do të ishin më 21 qershor, ndërsa nëse shpallet gjendje e jashtëzakonshme edhe një javë zgjedhjet do të ishin më 14 qershor. Kështu qëndrojnë të gjitha aspektet ligjore për të cilat sot diskutohej dhe nuk kishte disa kundërshtime të aspekteve ligjore”, theksoi Zaevi.
Zaev tha se ishte pajtuar që Qeveria të kërkojë përgjigje më të sakta nga OSBE/ODIHR, kur dhe çfarë misioni mund të dërgojë në vend dhe nga Komisioni për Sëmundje Ngjitëse të dimensionojë protokolle për sjellje, duke pasur parasysh se tubime nuk do të mund të ketë, nëse mund të shkohet nga dera në derë dhe të ngjashme. Presidenti i shtetit, sipas tij, duhet të mbajë takim me anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ) për terminet e sakta, siç tha, “nga – deri të projektuar për datë potenciale për zgjedhje”.
“Është e rëndësishme që sot për disa punë bashkë u morëm vesh. Madje edhe zgjedhjet të jenë edhe më 14 qershor, 30 ditë prej sot e më tutje ka që të dërgohet ftesë deri te OSBE/ODIHR dhe të ketë mision vëzhgues i cili është shumë i rëndësishëm. Puna e dytë është se në afat prej 32 ditëve, gjegjësisht 10 ditët e nevojshme para fushatës për KSHZ-në mjaftojnë që të vazhdohet azhurnimi i Listës Zgjedhore që është procedurë e papërfunduar me ngrirjen e proceseve zgjedhore përmes Dekretit me fuqi ligji”, tha lideri i LSDM-së.
Zaevi tha se nuk ka punë më të rëndësishme për ta si politikanë se sa shëndeti i qytetarëve, por se njëkohësisht të gjithë ishin pajtuar se ka besim të plotë komplet nga të gjithë në komisionet tona shëndetësore dhe të ekspertëve, veçanërisht e komisioneve profesionale dhe të ekspertëve.
Në takim ishte konstatuar edhe se të gjithë do të duhet të jetojmë me koronavirusin sepse as në botë, e as në Evropë, e as në RMV dikush mund të thotë se kur do të përfundojë kriza.
Sipas tij, komisionet shëndetësore dhe të ekspertëve nuk mund të dimensionojnë datë për zgjedhjet, por mund të përgatisin protokolle që të konfirmohet se kur do të ishin zgjedhjet.
Kujdesi për shëndetin e qytetarëve është kur me të vërtetë i vëmë në funksion të gjitha institucionet. Në RMV, Parlamenti është jofunksional dhe ka qeveri teknike, tha Zaev.
Lideri i LSDM-së theksoi se opozita sot nuk ka qenë e gatshme të bisedojë për datë dhe se po blen kohë. Megjithatë, beson se në fillim të javës së ardhshme mund të arrihet marrëveshje për datë për zgjedhje.
Gjithsesi shtoi ai, këto zgjedhje nuk do të jenë si të gjitha zgjedhjet më parë, por mund të kemi situata edhe në qershor dhe në shtator dhe në dhjetor dhe në majin e ardhshëm dhe tetorin e ardhshëm, garanci është vetëm vaksina. Për këtë, pritjet e tij janë që përgjegjësia e të gjithëve të jetë në nivel maksimal.