Në faqen e internetit Air Prishtinës shihet komunikimi midis disa qytetarëve që janë të interesuar të blejnë bileta ajrore për Cyrih dhe Dyseldorf, të cilët kanë marrë konfirmimin se mund ti blejnë biletat, sepse fluturimet me siguri do të realizohen. Për shkak të mbrojtjes së të dhënave personale të qytetarëve, emrat dhe të dhënat e qytetarëve janë mjegulluar në kontribut. Alsat kërkoi informata nga Ministria e Brendshme, se si funksionojnë fluturimet në një kohë kur aeroporti është i mbyllur. Nga Ministria e Brendshme na informuan se ata nuk ishin të njohur me rastin dhe na drejtuan në Ministrinë e Punëve të Jashtme, një institucion që jepte leje vetëm për fluturime humanitare të qytetarëve, që kishin ngecur jashtë vendit gjatë pandemisë. Nga Ministria e Punëve të Jashtme na konfirmuan se fluturimet për në Gjermani dhe Zvicër janë realizuar, por ata pretendojnë se këto nuk janë fluturime komerciale, por humanitare të organizuara nga ambasadat e Gjermanisë dhe Zvicrës, dhe në aeroplan kishte vetëm qytetarë të vendeve të tyre.
Ne gjithashtu kërkuam një qëndrim nga TAV Maqedoni, kompani kjo që administron dy aeroportet e Maqedonisë. Nga atje, ata thonë se shërbehen vetëm fluturime ngarkesash, ato shtetërore, ushtarake, mjekësore dhe humanitare të shtetasve të Maqedonisë që jetojnë jashtë vendit.
Fluturimet që përmendët ishin fluturime për të riatdhesuar qytetarët tanë që jetojnë jashtë vendit. Ato u realizuan me kompaninë ajrore Chair Airlines, me miratimin e Agjencisë së Aviacionit Civil dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila organizon këtë lloj fluturimesh. Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit është mbyllur për fluturime komerciale të pasagjerëve që nga 19 marsi, në përputhje me Vendimin e Qeverisë dhe shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme – njoftojnë nga TAV Maqedoni.
Ministri i Transportit dhe Lidhjeve Goran Sugareski, para disa ditësh u tha qytetarëve që të mos blinin bileta ajrore deri sa të merret një vendim për rihapjen e aeroporteve në vend, në mënyrë që të mos bëhen shpenzime të panevojshme./Alsat