9 Maji, kudo nëpër vendet Evropiane festohet si “Dita e Evropës”. Kjo ditë festohet me aktivitete të ndryshme. Vlerat Evropiane, ne duhet t’i përqafojmë të gjithë, sepse këto vlera janë e vetmja zgjidhje për vendin tonë si dhe për të gjithë vendet tjera që pretendojnë të jenë pjesë e këtyre vlerave. Ne, si Lëvizje BESA, gjatë gjithë kohës kemi përkrahur çdo reformë që bëhet për të mirën e vendit për të qenë sa më afër Evropës. Rrugëtimi jonë është i qartë BE dhe këtë e shohim si shpëtim të vetëm për Maqedoninë e Veriut.
Të gjithë subjektet politike, kanë një përgjegjësi të madhe ndaj gjithë qytetarëve të vendit që sa më shpejtë vendin ta bëjnë pjesë edhe të BE-së, ashtu siç u bë pjesë e NATO-s.
9 Maji ka një rëndësi të madhe për Lëvizjen BESA, sepse në vitin 2016 për herë të parë në vend, u organizua një protestë masive, e cila ngjalli një shpresë të re tek shqiptarët, shpresë e cila u vra nga disa subjekte politike që keqpërdorën gjithçka, madje edhe shqiptarët. Me anë të atij masoviteti në qytetin e Shkupit, regjimi VMRO-BDI u sfidua seriozisht dhe ju dha një grushtë i fortë një qeverie anti-shqiptare.
9 Maji, qytetarëve ua kthen në kujtimet e tyre edhe rastin e “Lagjes Trimave” në Kumanovë, ku ndodhi një konflikt i armatosur. Sot e kësaj dite, pas 5 viteve ende nuk dihen skenaristët e atij plani famëkeq që për të shpëtuar pushtetin e tyre, inskenuan, trishtuan dhe vranë njerëz në një lagje në zemër të Kumanovës.
Ju sigurojmë që Lëvizja BESA është dhe do të jetë partner serioz në përmbushjen e standardeve Evropiane. Deklarojmë edhe njëherë, nuk kemi alternativë tjetër pos anëtarësimit të plotë të vendit në BE, si i vetmi opsion për vendin dhe rajonin.
Urime Dita e Evropës!
Lëvizja BESA